Edhe pse turneu i ri i FIFA-s, Kupa e Botës për Klube 2025, ka ngjallur debate për shkak të mbingarkesës së kalendarit futbollistik, ai vjen me një fond shpërblimi marramendës prej 1 miliard dollarësh. Dymbëdhjetë skuadra europiane, përfshirë Manchester City, Chelsea, Real Madrid, PSG dhe Bayern Munich, shihen si favoritë për ta fituar këtë trofe prestigjioz.
Por, në skenë do të ngjiten edhe klube të mëdha nga kontinente të tjera si River Plate, Boca Juniors dhe Al-Hilal, që do të kërkojnë të befasojnë gjigantët evropianë.
Megjithatë, një shqetësim gjithnjë e më i madh po lind: temperaturat ekstreme në SHBA gjatë verës. Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA ka lëshuar një paralajmërim të nivelit “mesatar” për rrezik nga nxehtësia për qytete si Miami dhe Los Angeles.
Ndeshja hapëse do të zhvillohet në Miami, ndërmjet Inter Miami dhe ekipit egjiptian Al Ahly, në orën 20:00 me orën lokale. Edhe pse kulmi i nxehtësisë prej 32°C do të ketë kaluar, pritet që temperatura në fillim të ndeshjes të jetë rreth 29°C, me 65% lagështi, gjë që do ta bëjë shumë të vështirë për lojtarët.
Lionel Messi dhe Inter Miami do të përballen me Porto më 19 qershor në orën 15:00 me orën lokale në Mercedes-Benz Stadium në Atlanta, ku pritet 31°C dhe reshje shiu me stuhi – megjithëse stadiumi ka çati të tërheqshme. Ndeshja e fundit në grup për Inter Miami do të jetë kundër Palmeiras më 29 qershor në orën 21:00 në Miami, me temperatura rreth 27°C.
Nëse Inter Miami fiton grupin, ndeshjet në fazat me eliminim do t’i zhvillojë në Philadelphia, ku temperaturat janë më të ulëta, rreth 19°C. Por nëse përfundojnë në vendin e dytë të Grupit A, ata do të luajnë në Atlanta, ku parashikimet flasin për temperatura mbi 30°C gjatë gjithë turneut.
Shqetësimet për klimën ekstreme janë shtuar edhe nga FifPro, sindikata ndërkombëtare e lojtarëve, që ka deklaruar:
“Me turne si Kupa e Botës për Klube që kanë kalendar të ngjeshur dhe zhvillohen në klimë të nxehtë si Orlando e Miami, nxehtësia ekstreme po bëhet një problem gjithnjë e më i madh për shëndetin dhe sigurinë e lojtarëve. FifPro do ta ndjekë nga afër situatën për të siguruar që mirëqenia e lojtarëve të jetë prioritet mbi gjithçka tjetër.”
FIFA, nga ana tjetër, ka përmendur vetëm pushime për freskim në rastet kur temperatura në fushë kalon 32°C, por për shumë kjo nuk mjafton për të garantuar sigurinë në kushtet ekstreme të verës amerikane.