Në një intervistë të gjatë për “Simplemente Futbol”, Leo Messi ka ndarë disa reflektime të thella për të ardhmen e tij, figurat që kanë ndikuar në karrierën e tij dhe brezin e ri të futbollit që po shkëlqen në arenën ndërkombëtare.
Kapiteni i Argjentinës, i cili ka fituar gjithçka në futboll, ka pranuar se mendimet për Kupën e Botës 2026 janë të pranishme çdo ditë.
“Ky vit do të jetë kyç për të parë çfarë do të vendos në lidhje me Kupën e Botës 2026,” – tha Messi, duke shtuar: “Do të gënjeja po të thosha që nuk po mendoj për këtë…”
Messi, i cili do të jetë 39 vjeç në momentin kur do të mbahet turneu në SHBA, Kanada dhe Meksikë, nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, por ka lënë të hapur mundësinë që mund të jetë pjesë e atij edicioni historik.
Ylli argjentinas nuk ka nguruar të flasë me admirim për ish-trajnerin e tij te Barcelona, Pep Guardiola, me të cilin krijoi një nga ekipet më të mëdha të të gjitha kohërave.
“Pep Guardiola është nga një tjetër botë. Ai është ndryshe, sheh gjëra që askush tjetër nuk i sheh. E ndryshoi futbollin. Të gjithë donin të na kopjonin. Në fakt, në një farë mënyre i bëri dëm futbollit, sepse njerëzit u përpoqën të luanin si Barcelona jonë”, tha Messi.
Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe talentit të Barcelonës, Lamine Yamal, që po përjeton një ngritje të jashtëzakonshme në skenën evropiane.
“Është mbresëlënëse ajo që tregon Lamine Yamal… ai tashmë është kampion i Europës me Spanjën,” – tha Messi.
“Është ende vetëm 17 vjeç, është në proces rritjeje dhe do të vazhdojë të zhvillohet si lojtar, duke shtuar gjëra në lojën e tij, ashtu siç bëra unë. Ka cilësi të pabesueshme dhe është tashmë një nga lojtarët më të mirë në botë.”