Sulmuesi Lionel Messi ka treguar se ka kaluar kohën më të keqe në fanellën e PSG-së, gjatë dy viteve në “Parkun e Princave”.
Argjentinasi u largua nga PSG-ja këtë verë, duke iu bashkuar Inter Miamit si agjent i lirë.
Së fundmi Messi ka treguar se kaloi dy vite shumë të vështira te PSG-ja, por tani ka gjetur gëzimin prapë te Inter Miami.
“Ishin dy vite të vështira te PSG-ja. E kisha humbur ndjenjën e kënaqësisë për të luajtur futboll. Udhëtimet te kombëtarja ishin momentet më të mira gjatë asaj kohe”.
“Këtu në Miami e gjeta gëzimin me top sërish”.
Tutje, Messi konfirmoi se nuk është duke menduar pensionimin në këtë pikë të karrierës.
“Ende nuk jam duke menduar për pensionimin. Më pëlqen të luaj, e shijoj të jem me top në fushë, duke garuar, stërvitur. Gjëja më e rëndësishme është të shijoj atë që ka mbetur”.
“Kjo karrierë e futbollit nuk do të rikthehet në jetë dhe nuk dua të pendohem për asgjë”.
Ndërkohë, Messi ka fituar Kupën e Amerikës për Inter Miamin duke qenë lojtari më i mirë i turneut.