Lionel Messi po e shijon në maksimum jetën në Amerikë. Argjentinasi është shndërruar menjëherë në liderin e Inter Miami dhe në ndeshjen e fundit për Kupën e Ligës, “pleshti” shënoi një dygolësh teksa skuadra e tij mposhti Orlando City me shifrat 3-1. Falë kësaj fitoreje, ekipi i 36-vjeçarit siguroi kualifikimin për në fazën e 1/8-tave.
Goli i dytë i Messit dhe i treti për Inter Miamin erdhi në minutën e 72-të. Ishte në fakt një gol i ngjashëm me të parin teksa “pleshti” sërish u gjend i lirë në mesin e zonës kundërshtare duke shënuar këtë herë me të djathtën.
Vlen të theksohet se për Messin ishte goli i pestë në vetëm tre ndeshje zyrtare me Inter Miamin duke “marrë përdore” skuadrën drejt sukseseve, ndërsa tifozët amerikanë po shijojnë nga afër “magjitë” e Kampionit të Botës.