Punëtorët e arsimit në komunën e Vitisë ndonëse kanë kryer punën e tyre si çdo herë tjetër, edhe në muajin shtator pagat nuk i kanë marrë.
Mbi 800 punëtorë kanë mbetur pa paga, pasi që sipas Ministrisë së Financave, Komuna e Vitisë nuk ka siguruar buxhetin e nevojshëm.
Sipas ministrisë, përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani.
“Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator, dhe të gjitha komunat e kanë bërë përpos njërës. Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit. Me qëllim që të mundësohet ekzekutimi i pagave për të gjithë punonjësit e komunës, Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, përfshirë edhe ditën e djeshme, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Lajmi.net ka kontaktuar sot kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, Rrahman Jasharajn, i cili ka treguar se në lidhje me këtë ka biseduar edhe me kryetarin e Komunës së Vitisë edhe me anëtarët e kryetarët e SBASHK-ut në Viti, nga të cilët u informua në detaje për situatën e krijuar.
Jasharaj bëri të ditur se të gjithë janë të shqetësuar në lidhje me këtë problematikë.
“Unë bashkë me anëtarët e stafit qendror dje pasdite ishim në Viti, u takuam fillimisht me Kryetarin e Vitisë z.Sokolin dhe e pamë shqetësimin e tij dhe angazhimin e tij që t’i drejtohet nivelit qendror. Ai qëndron pranë mësimdhënësve dhe ishte i shqetësuar dhe kërkesë e tij ishte që niveli qendror të reagoj dhe edhe punëtorët e arsimit në Viti të marrin pagat e shtatorit. Pastaj e mbajtëm një takim të jashtëzakonshëm me kuvendin e Sindikatës së Arsimit të Vitisë dhe përfaqësuesit aty shprehën shqetësim të arsyeshëm tek anëtarësia dhe kërkuan që të fillohet me veprime sindikale”, ka thënë Jasharaj për lajmi.net
Ai ka thënë se në rast se pagat nuk dalin edhe sot, punëtorët e arsimit në Viti mund të mbajnë protestë nesër.
“Me atë që e pash nga takimi me kryetarët dhe anëtarët e sindikatës nga Vitia nesër pritet që në orën 11:00 të vijnë para Qeverisë në shenjë proteste pse nuk janë marrë pagat, dhe nëse Qeveria do të thotë institucionet nuk reflektojnë atëherë nga biseda që pash aty institucionet e arsimit në Viti nga e hëna mund të hyjnë edhe në grevë, diçka që nuk do të duhej me ndodh”, ka thënë Jasharaj.
Ai gjithashtu i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës dhe ministrit të Financave Hekuran Muratit që të procesohen pagat, pasi që po iu vështirësohet jeta e punëtorëve të arsimit.
“Përmes medias suaj, I bëj apel qeverisë së Kosovës në këtë rast ministrit Murati që ta bëj të mundurën dhe të pamundurën që të procesohen pagat edhe për punëtorët e arsimit sepse si do qoftë realiteti, këta njerëz nuk janë fajtor dhe jetojnë shumica me pagën që e marrin në arsim e shumica prej tyre janë edhe në kredi dhe janë të shqetësuar që edhe bankat pastaj mund të veprojnë duke ia shtuar kamatat. Pra, institucionet qendrore pavarësisht situatave të krijuara duhet që sot të procesojnë pagat për punëtorët e arsimit e pastaj të shohin bashkë me institucionet lokale ku qëndrojnë problemet dhe t’i zgjedhin bashkarisht”, ka shtuar Jasharaj.
Lajmi.net dje ka biseduar edhe me nënkryetarin e Komunës së Vitisë, Hasan Aliu i cili ka thënë se mosekzekutimi i pagave për 800 punëtorë të arsimit në Viti mund të ketë ndodhur për “arsye politike”.
“Burim i krejt kësaj ka ndodh mos kontrata kolektive, nënshkrimi i kontratës kolektive është nga niveli qendror, prandaj Komuna e Vitisë deri më tash është dëmtuar me 5 milionë e 590 mijë euro. Andaj ata kanë marrë para te kodi që ligjërisht nuk kanë pas të drejtë, tek kodi i pagave. Kodi i pagave me mëditje merret vetëm kur ka suficit, që nënkupton se Komuna e Vitisë nuk ka pas suficit por ka pas para të mjaftueshme, ata kanë marrë nga ky kod dhe nuk e kanë bërë ekzekutimin prej mungesë 167 mije euro”,thotë Aliu.
Tutje ai tha se Qeveria e Kosovës ka shkelur ligjin e Kosovës për mosekzekutimin e pagave dhe se duhet që së shpejti të merret një vendim për rimbursimin e tyre, në mënyrë që të mos dëmtohen punëtorët arsimor.
“Unë e konsideroj se është obligim i qeverisë që së shpejti me marrë një vendim që ta bëjë rimbursimin e kësaj në mënyrë që të mos dëmtohen as punëtorë arsimor që nuk janë fajtor po në këtë rast as Komuna e Vitisë e cila menaxhon me ta. Ka marrë pjesë në trajnime të cilat i kemi pas vazhdimisht edhe kur kemi pyet që të bëjmë kode buxhetore, që të ndajmë edhe buxhet për implementim të kontratës kolektive, pikërisht nga zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave kanë thënë se nuk keni të drejtë, prandaj unë e konsideroj se padrejtësisht kjo çështje dhe këtë padrejtësi munden ta korrigjojnë vetëm ata që e kanë bërë që kanë shkel mbi ligjin mbi ligjin e Kosovës dhe ata kanë një adresë që është Qeveria e Kosovës”,shtoi ai.
Gjithashtu ai tha se punëtorët arsimor janë të zhgënjyer për këtë padrejtësi që po iu bëhet.
“Kanë pas një pakënaqësi, ata thjesht janë punëtorë të thjeshtë nuk janë profesionistë nuk i din ligjet e Ministrisë Financave dhe Ligjin e Pagave dhe janë të zhgënjyer. Kanë të drejtë se këto gjëra nuk janë sqaru në kohë e kanë prit me një zhgënjim të thellë se ku ka më keq 1 muaj ditë me punu dhe në fund mos me marrë pagën që i takon”. theksoi Aliu.
Në ndërkohë i pyetur nga lajmi.net se a kanë pasur ndonjë kontakt me Ministrinë e Financave në lidhje me këtë çështje, nënkryetari Aliu tha se kanë qenë në dijeni për këto mosmarrëveshje por ka qenë e pamundur që të rregullohen brenda një afati të shkurtë kohor.
“Nuk kemi pas bisedë në përjashtim që të hënën e kanë thirr Kryetarin e Komunës ku kanë kërku brenda 10 minutave me rregullu këtë çështje, nuk ka pas shans me rregullu për shkak që nuk mundet Kryetari i Komunës me marrë vendim për 170 mijë euro me vendos se ligji e din kryetari e ka diku 500 mije euro ku nuk mundet me marrë vendime, e gjithashtu ndërrimi i kodeve prej një kod ashtu siç është aprovu në Kuvend duhet me aprovu në kuvend komunal”, deklaroi ai.
Aliu tha se janë në pritje dhe se në bazë të informatave që kanë pagat mund të dalin sot gjatë ditës apo ditëve në vijim.
E në reagimin e bërë nga Ministria e drejtuar nga Hekuran Murati u tha se zyrtarët e Komunës së Vitisë nuk kanë reflektuar, gjë që nënkupton se kur është bërë ekzekutimi i pagave sot, sistemi me automatizëm i ka refuzuar ekzekutimet për programet që nuk kanë buxhet të mjaftueshëm.
“Pra, për zyrën e kryetarit, administratën dhe programet tjera sistemi ka bërë ekzekutimin e pagesave, por jo edhe për programet e arsimit fillor e të mesëm, sepse komuna nuk është siguruar që në këto dy programe ka buxhet të mjaftueshëm. Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e të punësuarve dhe nevojën për të pranuar pagën e tyre, MFPT është e gatshme që kurdo që Komuna e Vitisë bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm, të bëjmë një ri-ekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe”, u shtua tutje.
Muaji tetor ka filluar me shqetësim për të gjithë punëtorët e sektorit publik pasi që pagat e tyre nuk janë ekzekutuar si çdo muaj tjetër në ditën e fundit të muajit.
Por, pagat e tyre kanë dal dje gjatë ditës ndonëse kjo nuk dihet si është arritur pasi që mandati i ushtruesit të detyrës të drejtorit të Thesarit ka përfunduar, ndërsa emërimi i një ushtruesi tjetër të detyrës në këtë pozitë është e jashtëligjshme.
Nga Ministria e Financave ende nuk janë sqaruar se si është realizuar kjo