Lionel Messi dhe një prani e konsiderueshme sigurie u vunë në qendër të vëmendjes teksa Kupa e Botës për Klube, në formatin e saj të ri, nisi zyrtarisht sot në orët e para nëShtetet e Bashkuara të Amerikës.
Skuadra vendase, Inter Miami, e drejtuar nga legjenda argjentinase Messi, barazoi 0-0 në një ndeshje emocionuese ndaj gjigantëve egjiptianë të Al Ahly, duke hapur zyrtarisht turneun.
Heroi i mbrëmjes për amerikanët ishte portieri Oscar Ustari, i shpallur lojtari i ndeshjes, pasi realizoi disa pritje vendimtare – përfshirë një nga pika e bardhë e penalltisë – për të ruajtur rrjetën e paprekur.
Messi iu afrua golit në pjesën e dytë me një goditje dënimi, ndërsa në minutat e fundit gjuajti nga distanca me një goditje spektakolare që u devijua mjeshtërisht në shtyllë nga portieri Mohamed El Shenawy.
Megjithëse ndeshja hapëse nuk solli gola, atmosfera në Miami ishte si në një turne madhor. Mbështetësit e Al Ahly, që kishin udhëtuar drejt SHBA-së, u panë duke shijuar atmosferën në zonën e South Beach para ndeshjes.
Al Ahly, kampion i Ligës së Kampionëve të Afrikës dhe klubi më i dekoruar në histori të kontinentit (45 tituj kombëtarë dhe 12 kontinentalë), nuk arriti të imponojë veten në skenën globale në këtë përballje.
Rruga për në stadiumin Hard Rock ishte e mbushur me reklama që njoftonin ndeshjen në stilin tipik amerikan: “Është koha e spektaklit”.
Ky stadium kishte pritur për herë të fundit një ndeshje madhore 11 muaj më parë, kur finalja e Copa America mes Argjentinës dhe Kolumbisë u shoqërua me incidente – me tifozë pa bileta që depërtuan në stadium, duke vonuar ndeshjen për 80 minuta.
Këtë herë, autoritetet nuk lanë asgjë rastësie: makina policie me sirena të ndezura rreshtonin rrugët jashtë stadiumit, oficerë me logon “kundër terrorizmit” patrullonin dhe kontrolli i sigurisë ishte i shumëfishtë.
Mbështetësit duhej të kalonin disa kontrolle para hyrjes, duke bërë që radha për të hyrë të zgjaste më shumë se zakonisht. Brenda stadiumit, fansat me fanella “Messi 10” ishin të shumtë dhe thirrjet “Messi, Messi, Messi” e shoqëronin atmosferën – një kujtim i gjallë nga Botërori i Katarit 2022.