3.5 C
New York
Saturday, December 28, 2024

Buy now

Mes historisë dhe “zemrës”, pikëprerjet e Bill Clinton me Shqipërinë dhe Kosovën

- Advertisement -

Më 23 qershorin e vitit të 1999, duke vizituar një qytet me tenda ku dhjetëra mijëra refugjatë të Kosovës qëndronin për javë të tëra, Presidenti Clinton mbante në prehër një djalë të ri, përqafonte një grua që qante dhe u bënte thirrje refugjatëve që të mos binin viktimë e minave tokësore.

“Unë nuk dua që asnjë fëmijë të lëndohet; nuk dua që dikush tjetër të humbasë një këmbë apo një krah”, shprehej Clinton gjatë një turneu në kampin e refugjatëve “Stenkoviç I” afër kufirit Maqedoni-Kosovë raportonte “The Washington Post”.

Duke bërë vizitën e tij të parë në Ballkan qëkurse NATO filloi një luftë ajrore 11-javore që dëboi forcat jugosllave të udhëhequra nga serbët, Clinton kishte përballjen e parë me njerëzit që “ai tha se ishin arsyeja kryesore e hyrjes në luftë”, shkruan gazeta amerikane.

Edhe pse shprehën kënaqësinë që panë presidentin amerikan dhe mirënjohjen për udhëheqjen e tij në mposhtjen e shtypësve të tyre, refugjatët do t’i shfrynin gjithashtu zhgënjimin që veprimi ushtarak i NATO-s nuk erdhi më parë dhe nuk i mbrojti ata nga mizoritë në duart e forcave të sigurisë jugosllave.

Duke iu drejtuar rreth 1 mijë refugjatëve, Clinton deklaronte se “NATO dhe Shtetet e Bashkuara bënë gjënë e duhur” në nisjen e fushatës ajrore, sepse ofensiva e pamëshirshme ushtarake e qeverisë së Beogradit kundër rebelëve dhe civilëve shqiptarë të Kosovës, shkeli rregullat e sjelljes së konsideruar gjatë kohës së luftës të pranueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe populli i saj.

“Askush nuk duhet të dënohet dhe diskriminohet, të vritet ose të çrrënjoset për shkak të fesë ose trashëgimisë së tij etnike”, theksonte Clinton. Duke thënë se një president amerikan nuk vepron kurrë i vetëm, ai shtoi: “Është populli amerikan që kujdeset për ju, që beson te ju, që dëshiron që ju të jeni në gjendje të shkoni në shtëpi”.

Presidenti e përdori gjithashtu vizitën e tij asokohe për të shprehur mirënjohjen ndaj liderëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë (RMV) për ndihmën për strehimin e shumicës së më shumë se 800 mijë shqiptarëve që u larguan nga Kosova ose u dëbuan nga trupat jugosllave dhe forcat policore e paraushtarake serbe.

Ai premtoi gjithashtu 12 milionë dollarë ndihmë shtesë ushqimore të SHBA-ve për Maqedoninë (RMV) dhe u zotua të vazhdojë të ndihmojë ekonomitë e rajonit në presion të madh.

“Ne jemi të përkushtuar jo vetëm për ta bërë Kosovën të sigurt”, tha ai, “por për t’i ndihmuar njerëzit të rindërtojnë jetën e tyre, të rindërtojnë komunitetet e tyre dhe më pas të ndihmojmë Kosovën dhe të gjitha vendet e rajonit të ndërtojnë një të ardhme më të ndritshme, më të begatë të bazuar në respekt. për të drejtat e njeriut të të gjithë njerëzve”.

Ndërhyrja në zemër

Pesë vite më pas, ish-presidenti amerikan Bill Clinton do të mbërrinte në Boston për të marrë pjesë në Kuvendin e Partisë Demokratike.

Kjo e fundit, zhvillohej në këtë qytet me rastin e zgjedhjeve presidenciale që do të zhvilloheshin në nëntor të atij viti.

Ai kishte vizituar sheshin e një tregu në shoqërinë e një senatori amerikan.

Asokohe, Clinton bleu dy stilolapsa dhe dy ora, që së bashku kushtonin 12 mijë dollarë.

Kështu rrëfen publicisti shqiptar Skifter Këlliçi gjatë ritregimit të takimit me presidentin Clinton.

“As vetë nuk e di se si mu dha edhe mua si çdo shqiptar kudo që të ishte, se dhe unë i isha mirënjohës Clinton-it dhe Amerikës për gjithçka që kishte bërë, veçanërisht për Kosovën, tashmë të lirë nga trysnia barbare e ushtrisë serbe, që kishte kryer krime të pashembullta mbi banorët e pafajshëm kosovarë”, shprehet gazetari dhe shkrimtari shqiptar.

Këlliçi tregon se Clinton-i e dëgjoi me vëmendje, e falënderoi dhe i tha se banonte në një ndërtesë së bashku me familjen e një biznesmeni nga Kosova, mik i tij.

Por, ajo që ishte më e rëndësishme, se atë vit do të vizitonte Shqipërinë.

Bill Clinton nuk mundi ta realizonte këtë, sepse pas disa muajsh iu nënshtrua një operacioni në zemër.

Në 6 shtator të vitit 2004, Bill Clinton, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2001, pasi shërbeu dy mandate në presidencë, iu nënshtrua një operacioni katër-orësh bypass-i në kampusin Columbia të Spitalit Presbyterian të New York-ut.

Ai u lirua katër ditë pas procedurës së tij dhe u kthye në shtëpinë e tij periferike në Chappaqua, në Westchester County të New York-ut.

Clinton, i cili në atë kohë ishte 58 vjeç, shkoi në spital disa ditë para operacionit duke u ankuar për dhimbje gjoksi dhe gulçim – simptoma, siç doli, që ai i kishte përjetuar tashmë prej disa muajsh.

Ai fillimisht i fajësoi ato për dështimet e sezonit të fushatës presidenciale në rutinën e tij të stërvitjes dhe për refluksin acidik.

Ish-presidenti gjithashtu fajësoi problemet e tij me zemrën pjesërisht për gjenetikën – familja e nënës së tij kishte një histori të sëmundjeve të zemrës.

Por ai gjithashtu tha se “mund të ketë bërë disa dëme në ato vite kur isha shumë i pakujdesshëm për atë që haja”.

Pranë Kosovës, pranë zemrës

Në vitin 2019, mijëra qytetarë të Kosovës dolën për të mirëpritur ish-presidentin amerikan dhe ish-kryediplomaten e ndjerë Madeleine Albright, në një vizitë të posaçme të të dyve, 20 vjet pasi ata ndihmuan në projektimin e luftës ajrore të NATO-s që rrëzoi forcat serbe.

Clinton dhe Albright u pritën asokohe si yje rock-u, shkruante agjencia e lajmeve Reuters, në Prishtinë, ku një statujë e Albright u zbulua në qendër të kryeqytetit për këtë rast, duke iu bashkuar asajt të Clinton-it të ngritur më parë në një bulevard me emrin e tij.

“Unë e dua këtë vend dhe do të jetë gjithmonë një nga nderet më të mëdha të jetës sime që të kam qëndruar me ju kundër spastrimit etnik (nga forcat serbe) dhe për lirinë”, u tha Clinton mijërave të mbledhur në qendër të Prishtinës.

Në shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë pas largimit të forcave serbe, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akordoi medaljet e lirisë Clinton dhe Albright “për lirinë që na solli dhe paqen në të gjithë rajonin”.

Clinton dhe Albright ishin përkrahësit më të hapur të ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur vrasjet e civilëve kosovarë nga forcat serbe si pjesë e shtypjes së Beogradit në vitet 1998-99 ndaj një kryengritjeje guerile shqiptare të Kosovës.

Guximi i tij presidencial, bëri që t’i jepej fund spastrimit makabër etnik të shqiptarëve të Kosovës nga dora e Sllobodan Millosheviçit.

Për muaj të tërë, Organizata e Kombeve të Bashkuara ishte përpjekur ta ndalte agresionin e përshkallëzuar serb në Kosovë, por pa fryte, deri në vendimin historik të Clinton.

Ishte pikërisht ai, i cili ridimensionoi gjithë rrjedhën politike rajonale në Ballkanin Perëndimor, duke e formësuar në atë çfarë i ngjan kohës së sotme, me gjashtë shtete të pavarura, pavarësisht se një paqe përfundimtare nuk është arritur ende.

Më 10 qershor 1999, Millosheviç e kuptoi se përballë kishte një president të palëkundur në qëndrimet e tija, si Clinton dhe pranoi planin ndërkombëtar të paqes për të ndaluar luftimet.

Nëse sot Kosova është e çliruar, merita e padiskutueshme është e vendimit të guximshëm të Clinton, duke çuar më tej në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

I nderuar në tokën kosovare, sot atij do t’i tregohet edhe mirënjohja shqiptare për gjithë ç’ka bërë dhe të nesërmen, ditën e shënuar të pavarësisë amerikane, ai do ta kalojë në tokën e shqiponjave, ku sërish do të nderohet. /Albanianpost/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit