I bindur se akuzat ndaj tij dhe shokëve në Hagë janë të pabazuara dhe të padrejta, Selimi tha se shpreson se ky gjykim mund të shërbejë si një mundësi “për drejtësi”.
“Nuk jam këtu për ta mbrojtur veten, sepse këtë gjë e bëjnë avokatët e mi, por ju duhet ta ushtroni drejtësinë. Prokuroria po mbështetet në pretendime që nuk kanë bazë dhe po bën përpjekje të vazhdueshme për ta njollosur luftën”, u shpreh Selimi.
Rexhep Selimi tha se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi.
Para trupit gjykues, ish-kreu i UÇK-së u shpreh se historinë e vendit e kanë shkruar me çmimin e sakrificës qytetarët e saj, luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët e atdheut, njofton Klankosova.tv.
“Të përpiqesh të ndërhysh me qëllim në ndryshimin e fakteve historike përmes akuzave, është të përpiqesh ta rishkruash historinë, historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet e aq më tepër në një sallë gjyqi”, tha Selimi.
Në fjalimin e tij, Selimi ishte i ashpër ndaj ZPS-së, duke deklaruar se kjo Prokurori ka krijuar përshtypjen se pavarësinë e Kosovës e trajtoi si qëllim kriminal, raporton Klankosova.tv
“Prokuroria edhe pse në fillim të paraqitjes së saj, deklaroi se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm, gjatë gjithë Kosovës, shënjestër ishte pikërisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe në veçanti qëllimi i saj, pavarësia e Kosovës. Po krijohej një përshtypje sikur vet pavarësia po trajtohej si qëllim i përbashkët kriminal.”
Ish-deputeti e parashtroi edhe një pyetje se “Derisa Serbia dhe Sllobodan Millosheviqi po vriste shqiptarë, çfarë do duhej të bënte populli i Kosovës?!
Në fjalën e fundit, Selimi tha se Serbia asnjëherë nuk e fshehu qëllimin ndaj shqiptarëve.
“Kur Serbia dhe Millosheviqi vrisnin bashkëmoshatarët e mi, helmonin nxënës dhe studentë, i largonin prindërit tanë nga puna, mbyllnin shkolla e spitale, na ndiqnin për të na vrarë, dhe zbatonin spastrim etnik e gjenocid, çfarë duhej të bënim ne, të mos reagonim? Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve”, tha Selimi.
Ish-komandanti i UÇK-së i emocionuar foli për Kosovën e lirë, për të cilën tha se është i gatshëm ta japë jetën nëse i kërkohet, raporton Klankosova.tv.
“Koha se kur do të kthehem në Kosovë, tash e tutje, varet nga vendimi juaj. Por prokuroria duhet ta ketë kuptuar se, kurdo që të kthehem, unë do të kthehem në Kosovën e lirë. Në Kosovën për të cilën jam krenar që i dola zot në kohën më të duhur dhe për lirinë e së cilës jam i gatshëm të jap jetën”, deklaroi ai, njofton Klankosova.tv.
Me emocion ai po ashtu tha se është nderi më i madh i jetës së tij të qenit luftëtar bashkë me heroin legjendar, Adem Jasharin, raporton Klankosova.tv
“Për mua, të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit ishte nderi më i madh që mund ta kisha, e konsideroj edhe nder cilësimin si njëri nga themeluesit kryesorë të UCK-së. Nëse këto cilësime shndërrohen në akuza, atëherë problemi nuk qëndron te unë, por te ata që nderin dhe përgjegjësinë i trajtojnë si faj. Po, kam baruar armë, ishin për mbijetesë. Shumë bashkëluftëtarë kanë vdekur duke i siguruar ato.” tha Selimi. /Klankosova.tv
Selimi s’la pa përmendur edhe kërkesën e Prokurorisë për dënim më 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.
Ai tha se ky dënim mund t’i ndalojë ata përgjithmonë që të kthehen në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, sipas tij, ZPS-ja do duhej ta kuptonte se kurdo që të kthehej ai, do kthehej në Kosovën e lirë.
“I bindur se bëmë gjënë e duhur, edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë. Na mbështeti edhe NATO dhe vendet tuaja. Prokuroria kërkon dënime jashtëzakonisht të rënda, aq të gjata sa synojnë të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë.”






