William Osula shënoi golin e fitores në minutën e 90-të, teksa 10 lojtarët e Newcastle Unitedit i shkaktuan humbjen e parë Michael Carrickut si trajner i Manchester Unitedit, me fitoren 2-1 që ishte e katërta radhazi në shtëpi ndaj “Djajve të Kuq” në Premierligë.
Newcastle kishte vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit në kampionat dhe kishte nevojë urgjente për reagim.
Ata e nisën fuqishëm ndeshjen, duke krijuar disa raste të mira në fillim, por pa arritur të shënojnë.
Manchester Unitedi u fut gradualisht në lojë dhe barazoi pas golit të parë të Newcastle, me Casemiro që realizoi me kokë pas një goditjeje dënimi të Bruno Fernandes, në fundin e një pjese të parë dramatike.
Më herët, Newcastle kishte mbetur me 10 lojtarë pas përjashtimit të Jacob Ramsey, por kishte kaluar në avantazh nga pika e bardhë me Anthony Gordon.
Në pjesën e dytë, pavarësisht inferioritetit numerik, Newcastle mbajti mirë lojën, ndërsa United humbi disa raste të mira për të kaluar në avantazh, me portierin Aaron Ramsdale që bëri disa pritje vendimtare.
Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, Osula hyri nga stoli dhe në kohën shtesë realizoi një goditje të bukur me hark nga krahu i djathtë, duke e dërguar topin në cepin e largët të portës për 2-1.
Kjo fitore i jep fund ecurisë pozitive të Manchester United dhe forcon Newcastle, që rikthehet te fitorja në shtëpi pas gati dy muajsh.
Unitedi megjithatë ka kaluar në vendin e tretë në tabelë, ku ka 51 pikë, aq sa Aston Villa është e katërta.
Newcastle është i 12-ti me 39 pikë të tubuara.






