Kroati Henrik Shirko është larguar nga Sigal Prishtina, por do të mbetet në basketbollin kosovar.
Shirko të premten është prezantuar nga skuadra tjetër prishtinase e Superligës, Bora.
31-vjeçari Shirko është gjatë në basketbollin kosovar dhe e njeh shumë mirë Superligën.
Së pari erdhi te Peja në vitin 2019, ndërsa u kthye te kjo skuadër në vitin 2021.
Luajti më pas me sukses edhe për Golden Eagle Yllin, ndërsa së fundi ishte te Prishtina.
Por Prishtina u fut në krizë të rezultateve dhe u nda me tre basketbollistë. Njëri prej tyre ishte Shirko.
Moment dukshëm më të mirë është duke kaluar Bora, që për kohë të gjatë ishte e fundit në tabelë.
Tashmë i ka katër fitore e dhjetë disfata dhe mban pozitën e parafundit me bilanc të njëjtë me Proton Cable Prizrenin e vendit të fundit. Bora në javët e fundit ka fituar ndaj Prishtinës, Bashkimit e Prizrenit.
Lëvizjet kanë vazhduar edhe te skuadrat e tjera.
Kampionia në fuqi dhe liderja e klasifikimit, Trepça, ka firmosur me qendrën me përvojë, amerikanin Michael Myers.
Ai ka luajtur në shumë liga evropiane, ndërsa vjen pas ndarjes së klubit mitrovicas me Mohamed Baron.
Sigal Prishtina të premten e prezantoi Tyrrel Taten. Ai po ashtu ka përvojë në liga të ndryshme e të shumta.
Ndërkohë Proton Cable Prizreni ka vendosur për një lojtar të huaj që e njeh ligën e Kosovës.
Ka transferuar Tervell Beckun, që ishte te Peja deri më tani. Prizreni të enjten angazhoi vendorët Rron Dahsyla e Drilon Shala.
Golden Eagle Ylli të enjten ka zyrtarizuar kthimin e Jan Palokajt, që ishte te skuadra suharekase edhe më herët.
Xhiroja e ardhshme e Superligës, e 15-ta, zhvillohet menjëherë më 8 e 9 janar.
Lëvizje të tjera të skuadrave priten edhe në ditët e ardhshme.
Bashkimi – Trepça, Bora – Golden Eagle Ylli, Vëllaznimi – Peja dhe Proton Cable Prizreni – Sigal Prishtina janë ndeshjet e xhiros së 15-të.