Mërgimtarët të cilët po vijnë në Kosovë, po duhet të paguajnë edhe këtë vit sigurimin kufitar. Ndonëse çmimi nuk është i madh, ata thonë se nuk duhej të ishte. Disa prej tyre shprehen edhe të zhgënjyer pasi u dhanë premtim se kjo pagesë do të largohej. Nga Drejtoria e Byrosë Kosovare të Sigurimeve thonë se janë në diskutim për një marrëveshje të mundshme, ndonëse nuk ka ende diçka finale.
Mërgimtarë të shumtë nga vende të ndryshme po hyjnë në Kosovë edhe këtë verë.
E ndaljen për pak minuta në pikën kufitare të Merdares po e bënin edhe për të paguar sigurimin.
Pavarësisht shumës që u dukej e volitshme, bashkatdhetarët u shprehën të zhgënjyer duke thënë se kjo pagesë është e panevojshme.
E disa të tjerë thanë se qeveria u premtoj largimin e tyre, por nuk u realizua.
Për këtë Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku thotë se ende janë në diskutime për një marrëveshje.
“Jemi duke e shqyrtuar mundësinë e marrëveshjes, ende nuk ka marrëveshje ndonëse mund të ketë. Në rast se do të ketë, do jetë sikur e vitit 2020-2021, kur janë marrë vetëm policat e pagesat i ka bërë Ministria e Financave. Ende nuk ka diçka finale, jemi në diskutime.”
20 euro është çmimi që mërgimtarët duhet të paguajnë për një muaj qëndrim në Kosovë. /Gazeta10/