Mërgim Vojvoda ka treguar një karrierë të shumëanshme në pozicionet e krahut, duke u shquar sidomos si mbrojtës i krahut të djathtë. Te skuadrat belge, Mouscron dhe Standard Liège, ai ka luajtur kryesisht në këtë rol: nga 103 ndeshjet e luajtura për Mouscron, 75 kanë qenë si mbrojtës i djathtë, ndërsa te Standardi, 28 nga 33 paraqitjet e tij ishin në të njëjtin pozicion.
Gjithashtu, ai ka pasur disa paraqitje si qendërmbrojtës dhe mbrojtës i krahut të majtë.
Te Torino, Vojvoda ka mbuluar shumë role, duke përfshirë edhe mesfushorin qendror, por më së shumti ka luajtur si mesfushor i krahut të majtë. Nga 135 ndeshje gjithsej, 73 kanë qenë në këtë pozicion
Edhe për Kombëtaren e Kosovës, ai ka shënuar më shumë paraqitje si mbrojtës i krahut të djathtë, duke luajtur në skemën me pesë mbrojtës, ku ai mbulon krahun e djathtë. Vojvoda është lojtari me më shumë paraqitje për Kosovën, me 69 ndeshje që nga viti 2017, katër më shumë se Amir Rrahmani, shumica e tyre si mbrojtës i djathtë.
Por te Como, situata ka ndryshuar, pasi ai po luan si mesfushor i avancuar i krahut nën drejtimin e trajnerit Cesc Fàbregas. Ky rol i ka dhënë fryte, teksa Como mposhti Juventusin 2-0 të dielën e fundit, dhe Vojvoda u vlerësua si një nga lojtarët më të mirë të ndeshjes. Ai e konsideron veten “mjeshtër” të pozitës së lojtarit të krahut.
“Ideja ishte të bëja presion lart në fushë. Shpesh më duhej të bëja presion ndaj Cambiasos dhe qendërmbrojtësit, por kjo është një sakrificë që lojtarët e sulmit duhet ta bëjnë. Addai dhe Kuhn janë më të mirë në driblim dhe në situata një kundër një, por shkoi mirë. Jam mjeshtër tani, por e vërteta është se ndihesha mirë në Torino duke luajtur si mesfushor i pestë. Në fillim, këtu në Como me trajnerin Fabregas, pata disa vështirësi, por gjithmonë përpiqem të vihem në dispozicion të trajnerit dhe ekipit”, ka thënë Vojvoda në konferencë për media pas fitores kundër Juventusit.
Ai ka rrëfyer edhe një sakrificë të veçantë nga e kaluara: “Kam luajtur edhe si portier”.
Ai i referohet ndeshjes Mouscron – Charleroi të vitit 2017, ku Mouscron pësoi 5-2, dhe në minutën e 83-të Vojvoda u vendos mes shtyllave si portier.
Sot, Vojvoda ka arritur në 144 paraqitje në Serie A, dhe përvoja e tij po i shërben edhe Kombëtares së Kosovës.