Ish-mesfushori i spikatur, Mentor Zhdrella është emëruar Drejtor Sportiv i skuadrës së Llapit
Bordi drejtues i klubit ka vendosur për Zhdrellën në pozitën e Drejtorit Sportiv pasi që ata kanë vlerësuar se kontributi i tij për Llapin në të kaluarën si futbollist ka qenë i jashtëzakonshëm.
34-vjeçari është prezantuar sot në prani të kryetrajnerit Tahir Batatina i cili i ka dëshiruar mirëseardhje Zhdrellës në mesin tonë.
Edhe vetë Zhdrella është shprehur i kënaqur me emërimin e tij në pozitën e Drejtorit Sportiv, teksa pas emërimit është prononcuar për faqen zyrtare të klubit.
“Falenderoj bordin drejtues të klubit, Presidentin e klubit z. Beqir Batatina për besimin. Jam jashtëzakonisht i lumtur për emërimin tim në këtë pozitë kaq të rëndësishme. Kemi shumë punë për të bërë dhe me organizimin që ka bërë klubi besoj do ia dalim t’i arrijmë objektivat tona”, deklaroi Zhdrella.
Mentor Zhdrella është njëri nga lojtarët më të trofeshëm që ka defiluar në Superligën e Kosovës, duke fituar tituj individual e ekipor.