Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka uruar Ditën e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, raporton Scanner.
Në një postim në Facebook, Krasniqi është shprehur krenar që më 14 dhjetor të vitit 2018, si deputetë të Kuvendit të Kosovës, votuam masivisht tri ligjet përkatëse duke i dhënë FSK-së mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë.
“Prej sot gatitu”, është fraza kumbuese që jehoi katër vite më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të shënuar themelimin e Ushtrisë së Kosovës, si një nga proceset më të rëndësishme të determinimit të shtetësisë dhe sovranitetit të vendit tonë”, shkruan kreu i PDK-së.
Krasniqi thotë se Ushtria e Kosovës, e cila zotëron e dëshmon nivel të lartë të përgatitjes profesionale, sot është e gatshme për çdo mision ushtarak.
“Ushtria e Kosovës, e cila ka përvetësuar standardet e NATO-s, si dhe zotëron e dëshmon nivel të lartë të përgatitjes profesionale, sot është e gatshme për çdo mision ushtarak, duke e bërë krenar secilin prej nesh. Ushtarëve posaçërisht, por të gjithë Kosovës në përgjithësi, urime Dita e themelimit të Ushtrisë!”, thotë ai.