Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar sot pas publikimit të statistikave të regjistrimit të popullsisë, ku u konfirmua se për 4 vitet e fundit Kosova ka humbur mbi 210 mijë banorë, raporton Scanner.
“Pa u lëshuar këtu në saktësinë e shifrave të publikuara, është lajm i keq dhe shumë i dhembshëm që, duke u bazuar në publikimet zyrtare të ASK-së, po konfirmohet se vetëm në katër vitet e fundit, Kosova i ka humbur mbi 210 mijë banorë”, tha Krasniqi.
Duke u referuar në të dhënat e ASK-së dëshmohet se në vitin 2020 Kosova kishte 1,798,186 banorë. Ndërsa, sot, kjo Agjenci publikoi shifrën pikëlluese prej vetëm 1,586,659 banorëve rezidentë.
“Qytetarët, e veçmas rinia e Kosovës, po e braktistin vendin! Ose, thënë më mirë, Qeveria i ka braktisur ata dhe ëndrrat e tyre. Ky lajm i gëzon vetëm ata që nuk ia duan të mirën vendit tonë. Kjo shifër kërkon veprime politike emergjente. Qytetarët tanë meritojnë më shumë dhe më mirë – pranë familjeve të tyre dhe në vendin e vet”, tha Krasniqi.
https://www.facebook.com/share/p/jseMRhBAWoeLdHbG/?mibextid=qi2Omg