Kur kanë mbetur edhe pak minuta për të nisur Konventa e Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit të ri, aty tashmë veç ka arritur kryetari i dorëhequr i kësaj partie Memli Krasniqi, raporton Ekonomia Online.
Krasniqi shihen nën shoqërim të Sekretares së Përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku dhe deputetit, Rrahman Ramës.



Më 12 nëntor në një konferencë për media, Memli Krasniqi kumtoi lajmin se ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i këtij subjekti politik.
“Sot, pas shumë kohe reflektimi, ka ardhur momenti i duhur, prandaj sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë. Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim i gjatë i imi mbi atë se çfarë i duhet më shumë partisë në fazën e ardhshme’, tha Krasniqi në konferencën për media.
Ai tha edhe preferencën e tij, ndonëse tentoi të tregohej i rezervuar kur u pyet për emrin e ri në këtë pozitë.
“Preferencën time për Bedri Hamzën nuk e fshehi, përkundrazi me kënaqësi e bëj publike”, tha ai.
E një ditë pas, nëpërmjet një shkrimi në “Facbook”, Bedri Hamza zyrtarizoi kandidaturën e tij për kryetar të PDK-së.
“Sot, me përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e partisë sonë, e shpalli kandidaturën time për Kryetar të PDK-së. Unë besoj se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend. Nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të cilët uroj të jenë së shpejti mes nesh, unë angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja. Falënderim i veçantë edhe për dy miqtë e mi, Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin, për udhëheqjen e tyre me dinjitet në kohë sfidash”, pati shkruar Hamza.
Por është Enver Hoxhaj ai i cili kërkoi që Konventa e paraprë të mbahet më 17 nëntor të shtyhet. Madje ai gjatë një intervistë në “Rubikon” deklaroi se do të jetë kandidat për kryetar të PDK-së, por kandidaturën e kushtëzon me shtyrjen e Konventës së partisë.
“Konventa e ardhshme nuk është një konventë ku unë garoj për karrigen e kryetarit. Unë po ftoj kryesinë e PDK-së që të ma japë të drejtën që të marr besimin e delegatëve, që të ketë një proces politik, që të ketë një javë më shumë. Çka ndryshon një javë më shumë: që të ketë debat politik, që të ketë prezantim të platformave”, deklaroi Hoxhaj.
Ndërsa në “Facebook”, shkroi se “Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e partisë duhet të shtyhet, sepse një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtjesore në një kohë kaq të shkurtër. Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme”.
Madje Hoxhaj e ftoi Hamzën në një përballje televiziveKujtojmë që Memli Krasniqi ka qenë pjesë e PDK-së për gati dy dekada, fillimisht si kryetar i të rinjve të partisë e më pas nënkryetar i partisë para se të zgjidhej kryetar më 2021.






