Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në Ditën e Infermierisë ka falënderuar të gjithë infermierët e vendit për kontributin e tyre.
Kreu i PDK-së, nëna e të cilit është infermiere tash e 45 vjet, ka shprehur mirënjohje për angazhimin e saj dhe të gjithë infermierëv , të cilët japin shpirtin për të na mbajtur të sigurtë dhe të shëndetshëm.
“Nëna ime Edibja, tash e 45 vjet është në shërbim të qytetarëve të vendit si infermiere. Një kontribut i gjatë dhe jo pak i lodhshëm, por, që unë e di se po të kishte mundësi – ajo do ta bënte përsëri nga dita e parë. Dhe, këtë, për dy arsye: E para, sepse ky është profesioni i infermierit: një jetë në shërbim të tjerëve – posaçërisht atyre që kanë më shumë nevojë. Shumë punë, sakrificë e mund për ta bërë tjetrin të ndihet më mirë. Dhe, e dyta, sepse kështu janë nënat tona. Plot pasion, zemër dhe empati. Prandaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve, dua që të falënderoj jo vetëm nënën time, por të gjithë infermierët e vendit tonë, vijën e parë të kujdesit shëndetësor, të cilët japin shpirtin për të na mbajtur të sigurtë dhe të shëndetshëm. Përkushtimi, dhembshuria dhe profesionalizmi juaj bëjnë një ndryshim të jashtëzakonshëm në jetën tonë si individë, në familjet tona dhe në shtetin tonë. Prandaj, faleminderit për gjithçka që jeni dhe gjithçka që bëni”, shkruan Krasniqi në Facebook.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që të angazhohet për krijimin e kushteve sa më dinjitoze për infermierët tanë, në mënyrë që ata të mos largohen nga vendi.
“Natyrisht, krahas këtij falënderimi, është obligim i yni, e, posaçërisht i Qeverisë, që të angazhohet për krijimin e kushteve sa më dinjitoze për infermierët tanë. Kosova nuk ka infermierë për shtetet tjera. Ato dhe ata na duhen në Kosovë, që vullnetin dhe profesionalizimin e tyre ta dhurojnë tek njerëzit tanë. Nuk ndihet askush më keq sesa infermierët kur nuk mund t’i ofrojnë një shërbim një pacienti në mungesë të pajisjeve ose ilaçeve – siç, fatkeqësisht, po ndodh akoma në Kosovë. Prandaj, më shumë kushte për infermierët, për më shumë kujdes ndaj qytetarëve tanë. Gëzuar Dita juaj dhe faleminderit për kontributin!”, shkruan kreu i PDK-së.
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid0kxstkGurs4MP7osdWNDQeJZXjGhfaxezaaLBqpoxvpDhx2GehmSRqMExeoZ9LJAol&id=100044662171388&sfnsn=mo&mibextid=RUbZ1f