Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar sot në Izbicë, ku ka bërë homazhe në 23 vjetorin e Masakrës së Izbicës, raporton Scanner.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi është shprehur se kjo masakër është vetëm një nga dëshmitë e gjenocidit serb, në mesin e mbi 400 masakrave anekënd Kosovës.
“Me 28 mars 1999, në Izbicë koha u ndal. Vdekja mbuloi fshatin. Ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë nuk kursyen askënd. Nga më të vegjëlit e deri te më të moshuarit, 147 civilë të paarmatosur e të pafajshëm, u kthyen në cak të një prej krimeve e masakrave më makabre që u kryen gjatë luftës në Kosovë. Në mesin e tyre, ishte edhe Dafina, ende pa i mbushur 6 muaj, trupi i së cilës u gjet 18 vjet pas vrasjes në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi.”, shkruan Krasniqi.
Lideri i PDK-së thotë se edhe sot, 23 vjet pas luftës, familjet e martirëve, Izbica, Skënderaj, dhe tërë Kosova, presin akoma drejtësi për këtë krim mizor.
“Drejtësinë do ta kërkojmë përjetësisht – ashtu siç përjetësisht do të jetojmë me kujtimin dhe nderimin e martirëve tanë. Lavdi, sot e përgjithmonë!”, shkruan Krasniqi.