Duke folur nga Parlamenti Italian, kryeministrja Giorga Meloni i ka konsideruar të papranueshme zërat që vijnë nga opozita dhe jo vetëm, sa i përket marrëveshjes së arritur me Shqipërinë për strehimin e emigrantëve të paligjshëm.
Meloni u shpreh se ndjeu keqardhje kur dëgjoi zëra kundër Kryeministrit Shqiptar Edi Rama, në një kohë kur Shqipëria po ndihmon Italinë me përballimin e fluksit të emigrantëve.
“Është për të ardhur keq që shumë nga zërat mospërputhës erdhën nga Italia, ku Rama u sulmua nga shumë anë se kishte ndihmuar Italinë. Është për të ardhur keq dhe për t’u habitur që ka pasur tentative për të frikësuar dhe kërcënime për një përjashtim të kryeministrit shqiptar nga Partia Socialiste Europiane, me sa duket për disa italianë të majtë është mëkat të ndihmosh Italinë”.
Kryeministrja italiane u shpreh se marrëveshja me Shqipërinë për transferimin e emigrantëve ka ngjallur interes të gjërë edhe në Bruksel, pavarësisht atyre zërave në Bashkimin Europian që duan të shkatërrojnë çdo gjë.
Meloni sqaroi edhe njëherë tjetër se marrëveshja mes Romës dhe Tiranës zyrtare, eshte një marrëveshje që respekton të drejtën dhe traktatet ndërkombëtare.