Meliza Haradinaj: Osmani s’deshi të hyjë në garë me Konjufcën sepse ka shumë respekt për të

- Advertisement -

Këshilltarja e Presidentes Vjosa Osmani, Meliza Haradinaj, në një bisedë për “Edicionin Special” në Klan Kosova, ka thënë se të martën ka qenë hera e parë që Lëvizja Vetëvendosje i është ofruar Osmanit për t’ia ofruar votat për të hyrë në garë për presidente.

Por, ajo tha se kjo u bë me idenë që Osmani të jetë kundërkandidate e Glauk Konjufcës, e jo përkrahje për rizgjedhje.

Haradinaj tha se këtë ofertë e refuzoi Osmani për disa arsye.

“Mbrëmë vonë për herë të parë i është ofruar Presidentes që të jetë kundërkandidate e Glaukut, jo përkrahje për rizgjedhje. Pra, për motive të përmbushjes së kriterit, e asnjëherë nuk i është ofruar përkrahje për rizgjedhje. Përkundër faktit që Presidentja iu ka thënë se nuk ka kuptim të dal kundër Glaukut, sepse ne kemi qenë aleatë e bashkëpunëtorë, dhe po ashtu Presidentja ka një respekt të veçantë për ministrin tash të Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe pavarësisht kësaj, asaj nuk i është ofruar mbështetja me votë, dhe ne nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje për mbështetje në votë, as nga kryeministri Kurti e as nga bashkëpunëtorët e tij. Kjo është e vërteta”, deklaroi Haradinaj.

Këshilltarja e Osmanit nuk deshi të japë detaje tjera nga këto diskutime, duke mos treguar se kush ia ka transmetuar këtë ofertë Osmanit.

Se a është ende në garë Osmani, Haradinaj tha: “Presidentja deri në momentet e fundit ka qenë duke punuar për t’i siguruar votat për rizgjedhjen e saj. Besoj se për detajet tjera do të njoftoheni nga vetë presidentja nesër”.

“Lajmi i keq që na e kumtoi sonte LVV-ja, është se ata nuk e shohin presidenten Osmani si bashkëpunëtore të tyre, si aleate e si kandidate për presidente, për t’u rizgjedhur, por e shohin vetëm si një instrument për të plotësuar një kriter të kuorumit. Por, kjo nuk do t’iu ofrohet”, u shpreh Meliza Haradinaj për “Edicionin Special”.

Ajo mohoi kategorikisht pretendimet për themelimin e një Liste të re politike, me emrin “Shpresa”.

Të ngjashme

Të fundit