Publicisti, Kim Mehmeti, ka komentuar deklaratën e presidentit Donald Trump, i cili përmendi Kosovën dhe temat të cilat ai do të merret gjatë mandatit të tij.
Trump deklaroi se gjatë mandatit të tij të parë konflikti mes Kosovës dhe Serbisë “ishte gati të shpërthente në luftë”, e se ai e kishte ndaluar mundësinë e përshkallëzimit të situatës.
Mehmeti tha se Trump ka deklarata kontradiktore, pasi që sipas tij, atë që e thotë në mëngjes e harron në mbrëmje, madje e thotë edhe të kundërtën.
“Shumë pak i dëgjoj deklaratat e Trumpit, sepse atë që e thotë në mëngjes e harro në mbrëmje dhe e thotë të kundërtën. Ka shumëçka që për mua është e çuditshme, si mund t’i ndodhi një presidenti të një superfuqie në botë. Por, si duket ne jetojmë në botën e çudirave dhe çfarë s’është e mundur. Varet se në çfarë realiteti jeton. Në këtë botë e vetmja fuqi që mund të ndalë luftë dhe që mund të nxisë luftë këtu është Amerika, këtu nuk ka diskutim. Është fat për ne nëse ajo Amerikë, ajo administratë mendon për ne dhe na e mendon të mirën”, tha ai në Tëvë1.
Mehmeti tha se që nga fillimi ka pasur frikë nga rikthimi i Trumpit në pushtet, për shkak të mënyrës se si ish-presidenti amerikan e sheh botën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Ardhjen e Trumpit në pushtet e kam pasur gjithmonë me frikë, ngaqë bëhet fjalë për mendësi të biznesmenit që çdo gjë është paraja, çdo gjë është në shitje e blerje dhe prandaj këtë më së miri ia hetuan sheikët dhe arabët”, deklaroi ai.