Gazetari Lirim Mehmetaj ka kritikuar vizitën e kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë, me argumentin se ajo vjen “të inskenoi kinse njëfarë takimi për të informuar rreth Speciales.”
‘Absurdi’ i gjithë kësaj situate, sipas Mehmetajt, vihet në pah kur nga njëra anë ndalohen vizitat e krerëve të UÇK-së në Hagë, ndërsa në anën tjetër Trendafilova viziton Kosovën.
Ai e quajti pa “kurrfarë kuptimi” vizitën e kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.
Postimi i plotë:
Krerëve të UÇK-së në Hagë ua ndaluan vizitat dhe çdo komunikim tjetër dhe në anën tjetër çojnë për vizitë Trëndafilovën në Kosovë.
Një nga elementet bazike për zbatimin e drejtësisë është transparenca dhe Specialja, prejse ka filluar, ka mundur të jetë gjithçka përveçse transparente.
Vizita e Trëndafiloves, presidente e Speciales, në Kosovë, nuk ka kurrfarë kuptimi.
Të mësuar me inskenime, Trëndafilova tash vjen në Kosovë të inskenoi kinse njëfarë takimi për të informuar rreth Speciales.
E dimë fare mirë se në këto takime veç informata nuk jepen.
Pyetje të kontrolluara, fjali të kontrolluara dhe mesazh i kontrolluar.
Cila është pra nevoja e kësaj vizite, pos asaj të Speciales për ta arsyetuar veten për hesape financiare të punonjësve të vet.