Analisti politik Lirim Mehmetaj ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për refuzimin e tij që t’i përgjigjet ftesave të Prokurorisë Speciale lidhur me hetimet për rezervat shtetërore.
Ai në Debat Plus ka thënë se ky veprim shfaqë mosrespektimin e institucioneve shtetërore, duke e krahasuar Kurtin me Enver Sekiraqën, i cili është në arrati që nga muaji maj i vitit të kaluar.
“Një shqetësim është se kryeministri nuk e njeh institucionin e shtetit të vet dhe vendos të mos i përgjigjet, sikur një kriminel ordiner si çifti i Enver Sekiraqes. Kush nuk i përgjigjet ligjit? Ai është super kriminel, ultra kriminel. Ai që nuk e respekton ligjin është një kriminel, kryekriminel”, ka deklaruar Mehmetaj në Debat Plus.
Sipas tij, përveç refuzimit të Kurtit për t’u paraqitur, problemi qëndron edhe tek paaftësia e Prokurorisë për të zbatuar ligjin.
“Prokuroria ka dështuar të bëjë një gjë që është e obliguar me ligj. Ata e kanë shkelur ligjin sepse nuk kanë arritur ta detyrojnë Kurtin të paraqitet”, ka shtuar ai.
Mehmetaj theksoi se, nëse kryeministri nuk shkon për të dëshmuar, atëherë edhe zyrtarët e Prokurorisë duhet të mbajnë përgjegjësi për mosrespektim të detyrës.