Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot ka pasur ditën e fundit e tij të punës si ministër.
Detyrën e tij si ministër, ai e ka përfunduar me një takim me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.
Mehaj thotë se kjo ishte mënyra më e ngrohtë për t’i dhënë fund mandatit të tij.
Ai shfrytëzoi rastin për të falënderuar Hovenier për bashkëpunimin, duke thënë se të gjitha kapacitetet e FSK-së janë ngritur në koordinim të plotë dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.
“Fjalët falënderuese të ambasadorit, për bashkëpunimin tonë, partneritetin, kultivimin e besimit, orientimin strategjik, partneritetin me ShBA-të dhe diplomacinë e zhvilluar, ishin mbresëlënëse për mua” tha mes të tjerash Mehaj.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Detyrën time nuk kisha se si ta përfundoj ndryshe përveçse me një takim të ngrohtë dhe përshëndetës me ambasadorin amerikan z. Hovenier dhe atasheun z. Mosley.
Falëndërim per mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë për këto dy vite e gjysmë që kishim. Të gjitha kapacitetet e ushtrisë sonë janë ngritur në koordinim të plotë dhe me ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rrugëtimi im ka qenë vazhdimisht krah për krah ShBA-ve në proceset që kemi pasë përpara.
Fjalët falënderuese të ambasadorit, për bashkëpunimin tonë, partneritetin, kultivimin e besimit, orientimin strategjik, partneritetin me ShBA-të dhe diplomacinë e zhvilluar, ishin mbresëlënëse për mua.
Në rrugëtimin tonë drejt të ardhmes ShBA-të do të mbeten partner strategjik i përhershëm.