Kombëtarja e Kosovës është në kërkim të një përzgjedhësi të ri pas shkarkimit të Alain Giresse muajin e kaluar.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) raportohet se ka shprehur interesim për legjendën boshnjake, Vahid Halilhodzic.
Kështu ka shkruar këtë të hënë mediumi nga Bosnjë-Hercegovina, “Sportske.ba”.
Sinan Sinanovic, redaktor i këtij mediumi, i cili së fundmi ka pasur rastin të shoqërohet me Halilhodzic, ka shkruar se Kosova ka shprehur interesim për 70-vjeçarin.
Mirëpo, sipas tij, nuk ka shanse që ai të drejtojë “Dardanët” pasi për të është interesuara edhe Federata boshnjake, për ta emëruar përzgjedhës të Bosnjë-Hercegovinës.
“Sigurisht një nga dëshirat më të mëdha të shumicës së tifozëve është që Vaha të bëhet trajner dhe të pasojë [Faruk] Hadzibegicin. Ajo që i intereson shumicës është qëndrimi i Vahës. Sigurisht që nuk është e lehtë që dikush si Vaha të vendosë të kthehet në atdhe pas kaq vitesh dhe të drejtojë ekipe të tilla. Jo sepse nuk do, jo sepse i pengojnë kushtet financiare, por ka disa gjëra që i shqetësojnë familjen. Është më shumë një çështje familjare. Ajo që të jep optimizëm është se ka ndjekur deri në fund orarin e ndeshjeve të Bosnjë-Hercegovinës, ka analizuar ndeshje pas ndeshje. Ai është i vetëdijshëm se ka një breshëri, por edhe se është e vështirë dhe se nuk ka lojëra të lehta. Duke parë orarin, nuk jemi pa shanse. Vaha e di për këtë, si dhe njerëzit e Federatës së Futbollit”, tha Sinanovic.
“Ajo që më gëzon është se janë dërguar disa sinjale nga Federata e Futbollit se duan një emër kaq të madh, një autoritet të tillë, dikë që mund të bëjë një terapi shokuese për të gjithë lojtarët dhe publikun, për të rikthyer atmosferën si p.sh në kohën e Ciro Blazevicit. Vaha ka pasur plane të tjera, ka shumë oferta, e di që Kosova po e kërkon, ka pasur edhe shumë oferta për klube. Është çështje e familjes dhe mjedisit të tij. Para së gjithash, duhet të flisni me të afërmit tuaj. Ajo që është e këndshme është se ai deklaroi me vendosmëri se nuk i intereson asnjë term i natyrës financiare. Nëse vendos të kthehet, kjo do të jetë sepse ai beson në Bosnjë dhe Hercegovinë, sepse ai ka disa arsye të veta patriotike, sepse ai beson se ky gjest do të ndalonte ato histori për politikën dhe politizimin rreth ekipit kombëtar. Ai dëshiron të dërgojë një imazh të ndryshëm nga Bosnja dhe Hercegovina që mund të bëhet shumë më tepër përmes futbollit sesa politikanët”, shkroi mes tjerash ai.
Halilhodzic nga viti 2019 deri më 2022 ishte përzgjedhës te Maroku. Ai më herët ka drejtuar edhe Kombëtaren e Japonisë, Algjerisë dhe Bregut të Fildishtë.
Ish-reprezentuesi i ish-Jugosllavisë ka punuar edhe te klubet e njohura si: Nantes, Trabzonspor, Dinamo Zagreb, Paris Saint-Germain, Rennes e Lille.