1.5 C
New York
Saturday, February 14, 2026

Buy now

Mediu: Evropa s’ka strukturë ushtarake e Ballkani s’ka kapacitete operacionale për t’u përballur me konflikte ushtarake

- Advertisement -

Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipëri, Fatmir Mediu, ka folur për rëndësinë e forcimit të rolit të shqiptarëve brenda strukturave të NATO-s, në prag të Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Mediu ka theksuar se interesi i shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Preshevë dhe Mal të Zi është rritja e peshës së tyre në kuadër të Aleancës Veri-Atlantike.

Ai ka kritikuar faktin që në Konferencën e Sigurisë në Mynih Ballkani nuk trajtohet me prioritet, ndonëse sipas tij rajoni vazhdon të mbetet një zonë me sfida të rëndësishme të sigurisë.

“Interesi i shqiptarëve, i Kosovës, i Shqipërisë, i shqiptarëve në Maqedoni, Preshevë apo në Malin e Zi dhe shqiptarët kudo që janë është forcimi i rolit tonë brenda NATO-s. Këtu kemi shumë defekte për ta kapitalizuar Shqipërinë si anëtarë i NATO-s dhe bashkëpunimin tonë për t’u bërë të ndjeshëm, qoftë edhe në Konferencën e Sigurisë në Munih. Fakti që shkojnë autoritetet tona në këtë Konferencë Sigurie, ku nuk diskutohet dhe nuk ka një vlerë Ballkani, i cili nuk është një problem jo i vogël në pikëpamje të sigurisë tregon deficensën  e organizimit dhe funksionimit të dimensionit të NATO-s e rolit në Ballkan”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Mediu ka vlerësuar se Evropa nuk përbën ende një strukturë të ndërveprueshme ushtarake dhe se vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, nuk kanë kapacitete të mjaftueshme operacionale për t’u përballur me konflikte të mundshme.

Ai ka theksuar nevojën për investime të përbashkëta në mbrojtje në nivel rajonal, duke përfshirë edhe Kosovën, në mënyrë që të rritet siguria dhe gatishmëria ushtarake.

“Evropa nuk është një strukturë ushtarake e ndërveprueshme, vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë nuk kanë kapacitete operacionale të mjaftueshme për t’u përballur me konflikte ushtarake. Kjo duhet parë se si duhet investuar në mënyrë të përbashkët në rajon, duke përfshirë edhe Kosovën në investimin që do të bëjë në mbrojtje”, deklaroi ai.

Të ngjashme

Të fundit