Mediat botërore po bëjnë bujë për fitoren e Bosnjës: ‘Azzurrët’ i’u nënshtruan ferrit të Zenicës, boshnjakët ishin të ftohtë në penallti

- Advertisement -

Kualifikimi i Përfaqësueses së Bosnje e Hercegovinës për në Kupën e Botës ka tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme nga mediat ndërkombëtare, pas fitores dramatike ndaj Kombëtares së Italisë në gjuajtjet e penalltive.

Ndeshja e zhvilluar në Zenicë u përshkrua si një përballje elektrizuese, ku vendasit treguan karakter dhe vendosmëri për të përmbysur disavantazhin e hershëm.

Ky rezultat historik i siguroi Bosnjës pjesëmarrjen e dytë në një Kupë Bote, pas paraqitjes së parë në vitin 2014.

Media britanike The Guardian e cilësoi performancën e boshnjakëve si “elektrike”, duke theksuar reagimin e tyre pas golit të shpejtë të Moise Kean.

Sipas raportimit, skuadra e drejtuar nga Sergej Barbarez nuk u dorëzua, por vazhdoi të sulmonte deri sa arriti barazimin dhe më pas triumfoi në penallti, duke siguruar një fitore të merituar përballë një kundërshtari të madh.

Edhe media gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung vuri në pah presionin e vazhdueshëm të boshnjakëve, që kulmoi me golin e Haris Tabakovic në minutën e 79-të.

Në fund, dështimet nga pika e bardhë të Francesco Esposito dhe Bryan Cristante vulosën eliminimin e Italisë, e cila do të mungojë për herë të tretë radhazi në turneun më të madh të futbollit botëror.

Gazetat sportive spanjolle, përfshirë Marca dhe AS, e përshkruan ndeshjen si një natë epike dhe dramatike për “Azzurrët”.

Ato theksuan se Italia po përjeton një krizë të thellë sportive, ndërsa Bosnja tregoi forcë mendore duke përmbysur rezultatin edhe pas kartonit të kuq të Alessandro Bastoni dhe duke triumfuar në një seri penalltish plot tension.

Reagime të forta pati edhe nga mediat franceze si L’Equipe dhe Le Parisien, të cilat theksuan “mallkimin” që duket se po ndjek Italinë në vitet e fundit.

Sipas tyre, heronjtë e mbrëmjes ishin Esmir Bajraktarevic dhe kapiteni Edin Dzeko, të cilët udhëhoqën ekipin drejt një triumfi historik dhe një rikthimi të shumëpritur në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Të ngjashme

Të fundit