Vera është sinonim i diellit, motit ideal, ndjesive të mira dhe dëshirës për të vizituar destinacione të reja”.
Ky është përshkrimi me të cilin nis një artikull i botuar në të përditshmen spanjolle “Cuentas Claras”, por që shkon më tej duke bërë disa rekomandime e që përfshijnë edhe vendin tonë, pasi siç thekson “i ka të gjitha”.
“Prandaj, nëse po planifikoni pushimet tuaja dhe po kërkoni vende të lira për të udhëtuar në Evropë këtë verë, ne ju sugjerojmë destinacionet më të mira për aventurën tuaj të ardhshme. Evropa ofron një sërë destinacionesh që përveçse janë të përballueshme do t’ju lejojnë të shijoni peizazhet e ëndrrave, gastronominë e pasur dhe një histori kulturore të pakrahasueshme.”
“Cuentas Claras” ka renditur tetë vendet më të përballueshme për të udhëtuar në verën e këtij viti e mes tyre përfshihet edhe Shqipëria. Mes të tjera vendeve janë dhe Kroacia, Rumania, Bullgaria.
Shqipëria
Pa dyshim, Shqipëria është një nga destinacionet më të lira në Evropë për vitin 2024, përveç të qenit një nga thesaret më të mira të fshehura. Ky vend i ka të gjitha: plazhe, kështjella dhe qytete antike, kështu që ju mund të planifikoni një sërë aktivitetesh.
Zbuloni peizazhet mahnitëse, historinë dhe kulturën e pasur të vendit evropian. Riviera Shqiptare është e famshme për plazhet e saj mahnitëse dhe qytetet piktoreske bregdetare. Plazhet e Dhërmiut dhe Himarës janë lehtësisht të aksesueshme dhe ofrojnë ujëra të kristalta dhe peizazhe magjepsëse.
Gjithashtu, ju mund të shijoni një shëtitje në Qafën e Llogorasë, me pamje të pakrahasueshme të detit Jon dhe Rivierës Shqiptare. Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, ju mund të shëtisni falas nëpër sheshin Skënderbej dhe të eksploroni vendet historike si Monumenti i Skënderbeut, Xhamia e Et’hem Beut dhe Muzeu Historik Kombëtar.
Shqipëria ofron opsione për të gjitha shijet e të gjitha buxhetet. Udhëtimi mund të jetë i përballueshëm dhe plot përvoja të jashtëzakonshme nëse zgjidhni lokacionet e duhura e të lira për të vizituar në vendin mesdhetar. Bëhuni gati për një verë me momente të paharrueshme!
Tetë vendet më të mira në Evropë për të vizituar në vitin 2024:
1- Shqipëria
2- Hungaria
3- Polonia
4- Rumania
5- Bullgaria
6- Kroacia
7- Sllovakia
8- Letonia