Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit H.G.,për shkak se dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrimi i ndikimit”, shkruan Insajderi.
Sipas aktakuzës, i pandehuri nga muaji Shtator 2021 e deri në muajin Dhjetor 2021, ka shfrytzuar pozitën e tij zyrtare në vazhdimësi si Ushtrues i detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj.
“Sipas aktakuzës së Prokurorisë, nga muaji Shtator 2021 e deri në muajin Dhjetor 2021, në Ferizaj, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, Ushtrues i detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, në vazhdimësi dhe me dashje, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete”, thuhet në aktakuzë.
Ai akuzohet se ka mbushur veturën e tij me derivate me para të spitalit.
“Në pompën e derivateve “HIB Petrol” e cila gjendet në Ferizaj, shtatë herë, ka furnizuar me derivate në kuadër të tenderit të spitalit, veturën e tij private të markës HUNDAY, pa u pajisur me vendim nga ana e Bordit Drejtues të SHSKUK-së dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403,97 Euro”, thuhet në aktakuzë.