Home Lajme Ekonomi Më pak leje ndërtimi në Shqipëri! Viti 2024 tregon një rënie të kërkesës për ndërtime të reja

Më pak leje ndërtimi në Shqipëri! Viti 2024 tregon një rënie të kërkesës për ndërtime të reja

0
Më pak leje ndërtimi në Shqipëri! Viti 2024 tregon një rënie të kërkesës për ndërtime të reja

Edhe pse lejet e ndërtimit dhe sipërfaqet kanë rënë në nivel kombëtar ky fenomen nuk është reflektuar në kryeqytet.

Të dhënat e INSTAT për tremujorin e parë të 2024-ës tregojnë se në Tiranë me lejet e dhëna, sipërfaqja e ndërtimit arriti në 232 mijë metra katror me një rritje të lehtë prej 16% në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. Ndërkohë në rang kombëtar sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2024 është 357 mijë m2, nga 415 mijë m2 miratuar në tremujorin e parë 2023, me ulje prej 14,0 %. Kjo mund të jetë edhe një pasojë e shkuarjes drejt përfundimit të programit të Rindërtimit, i cili ka ndikuar në disa qarqe si Durrësi dhe Lezha me uljen e ndjeshme numrit të lejeve.

Në kryeqytet trendi i sipërfaqeve të ndërtimit ka ardhur në rritje deri në kulmin historik të 2022-shit ku u dhanë 800 mijë metra katror leje për sipërfaqe ndërtimi, ndërsa gjatë 2023-it pati një ulje poshtë 200 mijë metra katror. Oferta gjithsesi vijon të mbetet e qëndrueshme, me gjithnjë e më shumë sipërfaqe të reja që po zhvillohen në periferi të Bashkisë.

Sa i përket tipologjisë së ndërtimeve INSTAT bën me dije se lejet e ndërtimit u dhanë më së shumti për ndërtesa banimi në masën 69%, ndërsa për biznesin 29.7% dhe 0.4% për punime inxhinierike. Ndryshimi është i dukshëm me vitin e kaluar ku lejet e dhëna për ndërtime biznesi dhe shtëpiake ndaheshin pothuajse në mënyrë të barabartë.

Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme ishin kontribuuesit kryesor në rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit të kaluar. Ecuria e këtij sektori prej disa vitesh vijon të gjenerojë shifra të larta në PBB-në e vendit duke ngritur shpesh dhe thirrje nga autoritetet për diversifikim të ekonomisë. /Top Channel/

Exit mobile version