21.2 C
New York
Friday, June 13, 2025

Buy now

Me nderime shtetërore sot iu dha lamtumira e fundit ish-kryeministrit të Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi


Nën përcjellje të Togut Ceremonial të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me nderime shtetëror, sot në Varrezat e Dëshmorëve në Velani, iu dha lamtumira e fundit ish-kryeministrit të Kosovës, Dr. Bujar Bukoshit. Në ceremoninë e varrimit mori pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

- Advertisement -

“Jemi mbledhur këtu sot bashkë, që t’ia japim lamtumirën e fundit Dr. Bujar Bukoshit, kirurgut të shquar, por mbi të gjitha kryeministrit të parë dhe të fundit të Republikës së parë të Kosovës, që funksiononte si Republikë për rezistencë. Dr. Bujarin e karakterizonte guximi i paepur, dhe atdhedashuria e pafund. Si kombinim i këtyre dy virtyteve të tij, ai pranoi detyrën më 12 tetor të vitit 1991, nga presidenti historik, Ibrahim Rugova, që të jetë Kryeministër i Kosovës. Për një dekadë e udhëhoqi Qeverinë e Republikës në ekzil, me ç‘rast punoi e kontribuoi aq shumë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, e posaçërisht për të vërtetën e Serbisë në Kosovë, si një shtet pushtues, agresor, por edhe shovinist anti-shqiptar”, u shpreh kryeministri Kurti para familjarëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe dashamirësve të të ndjerit.

Duke kujtuar rolin dhe kontributin e ish-kryeministrit Bukoshi, kryeministrin Kurti tha se ai e kishte një detyrë të vështirë, sepse ishte edhe ura lidhëse edhe laura ndarëse midis rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur. Prandaj, uroi, që historianë të shumtë do të kenë kureshtje të madhe studimore që të zbardhin vështirësitë dhe rreziqet nëpër të cilat ka kaluar ish-kryeministri Bukoshi dhe qeveria e tij në ekzil.

“[Dr. Bujar Bukoshi] Ishte kryeministër i jashtëzakonshëm sepse kohërat ishin të tilla, por gjithashtu edhe personaliteti i tij ishte i tillë. Ishte kryeministër i një republike të nënshtruar nga një shtet fqinj, por edhe i një populli të panënshtrueshëm. Ishte kryeministër i një shteti pa ushtri, por me mijëra vullnetarë të gatshëm për luftë çlirimtare. Ishte kryeministër i një shteti pa kontroll mbi territorin, por me autoritet politik të pakontestueshëm. Ishte kryeministër i një shteti që njihej vetëm nga një shtet tjetër, Republika e Shqipërisë, mirëpo që u bë i njohur në mbarë botën për qëndresën e tij”, u shpreh kryeministri Kurti. 

 
Lavdi jetës dhe veprës së ish-kryeministrit Dr. Bujar Bukoshi!

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara familje e Dr. Bujar Bukoshit, ish-kryeministër i Republikës së Kosovës, posaçërisht e nderuara bashkëshorte Dr. Zana, dhe vajzat Ora, Shota, Nita,
Të nderuar miq e dashamirë, kolegë e bashkëpunëtorë të Dr. Bujarit,
Të nderuar të pranishëm,

Jemi mbledhur këtu sot bashkë, që t’ia japim lamtumirën e fundit Dr. Bujar Bukoshit, kirurgut të shquar, por mbi të gjitha kryeministrit të parë dhe të fundit të Republikës së parë të Kosovës, që funksiononte si Republikë për rezistencë.

Dr. Bujarin e karakterizonte guximi i paepur, dhe atdhedashuria e pafund. Si kombinim i këtyre dy virtyteve të tij, ai pranoi detyrën më 12 tetor të vitit 1991, nga presidenti historik, Ibrahim Rugova, që të jetë Kryeministër i Kosovës.

Për një dekadë e udhëhoqi Qeverinë e Republikës në ekzil, me ç‘rast punoi e kontribuoi aq shumë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, e posaçërisht për të vërtetën e Serbisë në Kosovë, si një shtet pushtues, agresor, por edhe shovinist anti-shqiptar.

Shkelja e të drejtave të njeriut, të drejtave qytetare dhe të drejtave kombëtare, shqiptarëve të Kosovës, filloi që të jehojë në mediat evropiane dhe në kancelaritë botërore, duke iu falënderuar në veçanti ish-kryeministrit Bujar Bukoshi dhe bashkëpunëtorëve të tij, të qeverisë në ekzil.

Por, Dr. Bujari ishte aktiv edhe në Kosovë, ndonëse nuk ndodhej në Kosovë.

Arsimi në shqip i cili ishte në ballë të rezistencës, asistenca sociale, shëndetësia, mirëmbaheshin nëpërmjet Këshillave dhe Nën-Këshillave të financimit që vepronin për ditë anembanë Kosovës, në çdo komunë të saj.

Ishte kryeministër i jashtëzakonshëm sepse kohërat ishin të tilla, por gjithashtu edhe personaliteti i tij ishte i tillë. Ishte kryeministër i një republike të nënshtruar nga një shtet fqinj, por edhe i një populli të panënshtrueshëm. Ishte kryeministër i një shteti pa ushtri, por me mijëra vullnetarë të gatshëm për luftë çlirimtare. Ishte kryeministër i një shteti pa kontroll mbi territorin, por me autoritet politik të pakontestueshëm. Ishte kryeministër i një shteti që njihej vetëm nga një shtet tjetër, Republika e Shqipërisë, mirëpo që u bë i njohur në mbarë botën për qëndresën e tij.

Dr. Bujari, ish-kryeministri Bukoshi, ka lënë mbresat më të mira te populli i Kosovës edhe me shërbimin e tij profesional si mjek, por edhe me devotshmërinë e tij si udhëheqës i ekzekutivit në ekzil.

Shkollimin e tij, që e nisi në Suharekë e Prizren, e vazhdoi në Beograd dhe e përmbylli në Koblenz dhe në Berlin.

Nga një karrierë akademike e profesionale e jashtëzakonshme, hoqi dorë për t’i shërbyer popullit të Kosovës dhe për ta institucionalizuar rezistencën tonë, fillimisht paqësore e më pastaj të armatosur.

Ai e kishte një detyrë të vështirë, sepse ishte edhe ura lidhëse edhe laura ndarëse midis rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur.

Prandaj, unë uroj, që historianë të shumtë do të kenë kureshtje të madhe studimore që të zbardhin vështirësitë dhe rreziqet nëpër të cilat ka kaluar ish-kryeministri Bukoshi dhe qeveria e tij në ekzil.

Unë personalisht Dr. Bujarin e kam takuar për herë të parë në jetë në moshën time 10-vjecare. Ka qenë viti i largët 1985 atëherë kur prindërit e mi patën organizuar një ndejë për mjekët që kishin përfunduar me sukses operacionin e babait tim në Spitalin e Prishtinës pas shpërthimit të idhëzës. Kurrë nuk e harroj admirimin që kishin prindërit e mi për Dr. Bujarin e Dr. Zanën, por njëkohësisht unë kisha edhe një admirim shtesë; sa fëmijëror, ndoshta edhe kombëtar. Më pëlqenin emrat e këtyre dy doktorëve, që prindërit e mi i admironin si profesionist të shquar shqiptar; Bujar dhe Zana. Unë do të dëshiroja që edhe prindërit e mi të kishin aso emra shqip, por isha veçse 10 vjeç atëbotë.

Me Dr. Bujarin, ish-kryeministrin e Republikës jam takuar edhe me 21 janar të vitit 1998 në Bruksel, kur atje isha bashkë me kryetarin e Unionit Studentor, Bujar Dugollin, ndërkaq ish-kryeministri Bujar Bukoshi, me veturën e tij kishte ardhur nga Boni në Bruksel për të na mbështetur në kuadër të asaj pranvere studentore, që nisi me 1 tetor të vitit 1997.

Bujar Bukoshi kontribuoi, sepse punoi dhe pikërisht për shkak se aq shumë njerëz kontribuuan, punuan e sakrifikuan, sidomos në luftën çlirimtare si dëshmorë e martirë, ne e kemi sot lirinë edhe shtetin që e gëzojmë e që duhet të vazhdojmë së bashku t’i ndërtojmë e t’i zhvillojmë.

Lavdi jetës dhe veprës së ish-kryeministrit Dr. Bujar Bukoshi!

Lavdi të gjithë udhëheqësve politikë, të cilët kontribuuan për atdheun tonë të dashur, Republikën tonë!

Faleminderit.

Të ngjashme

Të fundit