Hysni Gucati, në një lidhje direkte në emisionin Five në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me monitorimin e seancave nga ana e amerikanëve në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai ka thënë se kjo është një zhvillim i mirë, duke e quajtur “më mirë vonë se kurrë”.
“Ne kemi kërkuar me kohë një agjencion të pavarur mbikëqyrës mbi Gjykatën Speciale dhe fati deshi që tash amerikanët të zbarkojnë në Gjykatën Speciale më 15 shtator. Për ne, për gjithë qytetarët e Kosovës dhe për ne si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një lajm shumë i mirë që do ta përcjellin vet ata situatën dhe gjendjen në Gjykatën Speciale, se çfarë është dhe si janë duke punuar gjyqtarët dhe prokurorët aty”, ka thënë Gucati.
Ai shtoi se monitorimi nga amerikanët do të jetë i dobishëm jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për vet qytetarët amerikanë që do të dëshmojnë aty, si dhe për anglezët e të tjerët.
“Me sa e di unë, amerikanët kanë kërkuar që pyetje shtesë nuk do të ketë, vetëm ato deklarata që i kanë dhënë mbrojtja apo dëshmitarët e mbrojtjes, ato do të lexohen dhe me to do të merren. Do të merren edhe me deklaratën e Ollbrajtit. Ky është një lajm shumë i mirë, që nuk do të ketë pyetje shtesë dhe është një favor për ne, për të akuzuarit që janë brenda… në atë drejtësi të mirëfilltë”, ka theksuar ai.
“Prokurorët nuk kanë të drejtë të bëjnë pyetje shtesë, por as gjyqtarët s’kanë të drejtë të bëjnë pyetje shtesë… ky është vendim i prerë nga amerikanët”, ka shtuar Gucati.
Në fund, ai ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar:
“Me 14 shtator, ditë e diel, në ora 14:00 në Holandë, të bashkohemi të gjithë [në protestë]. Neve më 14 rrugët na çojnë të gjithëve në Den Hagë… ndërsa më 11 shtator do të jem në vizitë te presidenti dhe Kadri Veseli”, ka deklaruar Gucati.