Gjatë luftës në Kosovë, ishte vetëm tri vjeçare.
E kujtimin e fundit me babin, e ruan në këtë formë.
Është kjo Krenarja, vajza e dëshmorit Yll Morina nga Gjakova.
Ky i fundit, gjatë luftimeve me forcat serbe, ishte plagosur në fshatin Gramaçel.
Pas kësaj, ndihmën e parë mjekësore, Yll Morina e mori në në disa spitale të improvizuara.
Por, vetëm tri javë më pas, ushtari i lirisë, ra në duart e forcave serbe.
Por, ndërhyrja e Kryqit të Kuq Ndërkombëtare, bëri që Yll Morina të transferohet fillimisht në Spitalin e Prishtinës.
Kjo rriti shpresat e familjes, që Ylli mund të rikthehet në shtëpi.
“Çka mund me mbajt mend është ajo që m’ka pasur në krahë gjithmonë me vete kudo që është shkuar. Dhe kujtimi i fundit me të ka qenë kur ka qenë në spitalin e Prishtinës, dhe m’kanë thënë që gjithmonë e kam pyetur ku është babi, kur ka me ardhë babi, m’kanë thënë që ka shkuar me ta blerë një biçikletë edhe e kam prit gjithmonë kur ka me marrë biçikletën me babin, por fatkeqësisht nuk ndodhi ajo ardhja e tij”, tregon për Tëvë1, Krenare Morina, vajza e Yllit
Yll Morina, pas torturave serbe në Spitalin e Prishtinës, ishte transferuar në Spitalin e Novi Sadit.
Këtu me 15 mars të vitit 1999, kishte ndërruar jetë.
Por, gjatë gjithë kësaj kohe, Krenarja me padurim po e priste kthimin e babait në shtëpi.
“Nuk m’kanë treguar që babi nuk është më në jetë. Atë moment e mbaj mend kur e kanë prurë babin prej spitalit, edhe unë me një gëzim kam zbrit poshtë se kam menduar që ka ardhë i gjallë, por nuk ka qenë ashtu, e kam parë të shtrirë ashtu siç e kanë prurë prej spitalit edhe ai ka qenë kujtimi i fundit që nuk kam mund shumë gjatë me shikuar në fytyrë, se kam dashtë me mbet ai kujtimi i fundit ashtu siç ka qenë gjithmonë i buzëqeshur”, shprehet ajo.
E para se të nisej në luftë, Ylli i dha familjes së tij një mesazh të paharrueshëm.
“Me aq sa m’kanë treguar familjarët, e di që edhe fjala e tij e fundit para se ai të shkojë në luftë ka qenë: “Ose do të shihemi në liri, o vdekje”. Kështu që ai e ka pasur synimin gjithmonë që kur u nis e ka ditur besoj ndoshta që nuk do të kthehet i gjallë se është shkuar me qëllimin për të luftuar dhe për të dhënë gjithçka për vendin e vet”, thotë Krenare Morina.
Ndonëse fotografi nuk ka, Krenarja mallin e shuan tek shtatorja e babait, në oborrin e shkollës fillore “Yll Morina” në qytetin e Gjakovës.
Ndërsa, emrin e dëshmorit, e mbanë edhe rruga afër shtëpisë.






