Nuk ndodh shpesh që një tifoz futbolli në Shqipëri të ndalohet të futet në çdo stadium të vendit.
Artur Xhemal Alibashi, një tifoz futbolli nuk do mundet të futet në asnjë stadium të Shqipërisë. Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka dënuar tifozin për një afat të pacaktuar, kjo pasi u konstatua se shkaktoi dhunë gjatë ndeshjes Partizani – Vllaznia.
“Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, korrespondencën me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë lidhur me aktet e dhunës në ndeshjen e kampionatit “Abissnet Superiore” FK Partizani-KF Vllaznia të zhvilluar më datë 23.11.2025 ora 16:30 në Kompleksin Partizani, ku janë konstatuar shkelje të parashikimeve ligjore të nenit 48 e vijues të Ligjit 79/2017 “Për Sportin” si dhe pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi duke u bazuar në nenin 59 e vijues të KDE,
VENDOSI:
1. Të ndalojë hyrjen në stadiumet e futbollit të Republikës së Shqipërisë ku zhvillohen veprimtari të organizuara nga FSHF për një periudhë të pakufizuar kohe shtetasit Artur Xhemal Alibashi.
2. Në bazë të Nenit 7 të KDE, udhëzohen të gjithë anëtarët e FSHF të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi.
3. Një kopje e këtij vendimi t’i përcillet Policisë së Shtetit”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, klubi i Partizanit është dënuar me 50 mijë lekë gjobë për sjelljen e tifozëve në ndeshjen e fundit kundër Vllaznisë. Bie në sy se zyrtari i AF Elbasanit, Elton Guranjaku, për kërcënim të zyrtarëve të ndeshjes është pezulluar me dhjetë ndeshje. Pezullim edhe për Kleo Laskën, zyrtarin e Laçit. Pezullime edhe në ligat më të ulëta.






