Janë publikuar pamje të reja lidhur me rastin e 27-vjeçarit që ka vdekur në rrethana të dyshimtë pas arrestimit nga Policia e Kosovës, mëngjesin e sotëm në Lipjan.
Në pamjet e reja shihet 27-vjeçari në gjendje të rëndë pas arrestimit, i rënë në gjunjë e me duar të lidhura pas shpinës.
Deri tani, lidhur me rastin është rekomanduar suspendimi i pesë policëve.

“Betimi për Drejtësi” ka publikuar pamje të reja nga momenti i arrestimit. Në pamje shihen së paku tre policë teksa e kryejnë arrestimin.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e pesë policëve lidhur me rastin.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci ka thënë se ai dyshohet se fillimisht në gjendje të dehur ka sulmuar automjetet dhe kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë.”, ka thënë Borovci.
“Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Aktualisht policia po vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes” ka thënë Borovci.