Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar se në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka takuar liderë shtetërorë dhe përfaqësues institucionesh nga vendet mike, pjesëmarrës në këtë konferencë.
“Në takimin me kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz dhe ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe Francës”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka shtuar se raportet bilaterale dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve u ritheksuan në takimin me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen.
Ndërsa, me senatorin Bob Menendez, Kurti theksoi se kanë biseduar për partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe fuqizimin e mëtejmë të tij.
“Me Lord Stuart Peach biseduam për marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe bashkëpunimin më të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar”, ka potencuar Kurti.
“Deputetët e Bundestagut gjerman nga Partia Socialdemokrate, Partia Liberale dhe CDU, Andreas Schwarz, Wolfgang Hellmich, Ulrich Lechte, Renata Alt, Aydan Özoğuz dhe Metin Hakverdi, i falënderova për përkrahjen e vazhdueshme dhënë vendit tonë. Me Drejtoren Ekzekutive të Europol-it, Catherine De Bolle, diskutuam për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të rendit dhe Europol-it”, ka shtuar Kurti.
I pari i ekzekutivit ka potencuar se sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock, e ka njoftuar për suksesin e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Për mundësitë dhe format e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, bisedova me drejtorin Ekzekutiv të kësaj agjencie, Fatih Birol”, ka deklaruar kryeministri i vendit.
“Në takimin me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajčák, diskutuam për procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga ShBA-të dhe Italia”.
Mes tjerash, Kurti ka shtuar se bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit ishin në qendër të takimit me presidenten e BERZh-it, Odile Basso, derisa ka potencuar se gjatë ditës së sotme i presin takime të tjera të rëndësishme.