Seanca e radhës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhsK) në Hagë, pritet të mbahet më 27 tetor 2025.
Në konferencën javore që organizohet nga kjo Gjykatë, zëdhënësi i saj, Michael Doyle tregoi se në rastin ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit është publikuar versioni i redaktuar i dosjes së procedurës paraprake të Prokurorisë gjatë javës së kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Bazuar në këto incizime dhe prova të tjera në dosjen paraprake, Prokuroria pretendon se gjatë këtyre vizitave personale në objektin e paraburgimit, z. Thaçi “në mënyrë të përsëritur, të qëllimshme dhe të paligjshme nxori informacion konfidencial lidhur me dëshmitarë të ZPS-së, me vetëdije zbuloi identitetet dhe provat e tyre në shkelje të urdhrave të gjykatës, dhe dha udhëzime konkrete si duhet të dëshmonin dëshmitarët…”, tha Doyle.
Ai shtoi se Dosja përshkruan gjithashtu pretendime dhe prova që do të paraqiten lidhur me rolin që luajtën katër të akuzuarit e tjerë në këtë çështje gjyqësore.
Zëdhënësi theksoi se pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ndër tjera, ai tregoi edhe për vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt dhe Fazliut.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.