Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që më 21 prill të mbahet votimi për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Burim Ahmetaj, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, bëri të ditur për katër komunat në veri të dhënat lidhur me nënshkrimet, gjegjësisht peticionet.
Ai njoftoi se nga peticioni i organizuar në komunën e Leposaviqit, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 3,030 nënshkrime të plotësuara në 304 faqe.
Sipas tij, pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve e bazuar në numrin personal, rezulton se 2,905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë.
“Pra, numri i përgjithshëm i votuesve në komunën e Leposaviqit është 13,441 votues, ku 20 për qind e votuesve për këtë komunë i bie të jenë 2,689 votues…andaj këto nënshkrime përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, nga raporti i verifikimit të peticionit nga Zubin Potokut, sipas shkresës së pranuar nga kryesuesi i Kuvendit komunal lista përbman 1,576 nënshkrime të plotësuara në 158 faqe.
Sipas Ahmetajt, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal rezulton se 1,380 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë.
Ai më tej njofton se numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 6,732 votues, ndërsa 1,347 votues përbëjnë 20% të listës votuese.
Sipas tij, këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë”, ka theksuar Ahmetaj