Krahas ndikimit në prodhim, vonesat në nisjen e punës për modernizimin e turbinave në Termocentralin Kosova B, i kanë kushtuar Korporatës Energjetike të Kosovës plot 637 mijë euro vetëm për magazinim e pjesëve të blera.
Derisa kontrata në vlerë 56.5 milionë euro me “General Electric”, parashihte që modernizimi i turbinave në njësinë B2 të niste në Maj 2024 dhe në njësinë B1 të niste në Maj 2025, ndërlidhja me projektin e elektro-filtrave shkaktoi vonesa.
Për rrjedhojë, punët në turbinën e B2-shit nisën tek në Prill të vitit 2025, teksa në tjetrën pritet të nisin në Maj 2026.
Si pasojë, Zyra Kombëtare e Auditimit gjeti se u krijua kosto shtesë për t’i ruajtur pjesët e kontraktuara.
“Meqenëse ishin krijuar rrethana specifike, ndërmarrja kishte realizuar një procedurë të negociuar me të njëjtin operator për “magazniminimin e pjesëve për një vit në depo”, duke lidhur kontratë në vlerë 637,200 euro për pajisjet e turbinës B2” – Zyra Kombëtare e Auditimit
Për më tepër, ZKA-ja përmend se përkundër se punët nuk kishin nisur, vitin e kaluar KEK-u pagoi tri të katërtat e kontratës në vlerë 56.5 milionë euro.
“Ndërmarrja deri në fund të vitit 2024, kishte kryer pagesa ndaj operatorit në vlerë 41.86 milionë euro (75% e kontratës). Sipas informacioneve, punimet për turbinën B2 kanë filluar në Prill 2025” –Zyra Kombëtare e Auditimit
ZKA-ja mes tjerash në raportin për KEK-un theksoi se mos-realizimi në mënyrë të sinkronizuar i dy projekteve strategjike, modernizimi i turbinave dhe montimi i elektrofiltrave, përveç ndikimit operacional, krijon humbje në të hyrat e mundshme si dhe kosto shtesë të mirëmbajtjes ose maganizimit. /Dukagjini/