-2.8 C
New York
Friday, January 24, 2025

Buy now

Më 2 maj Kurti dhe Vuçiqi miratojnë Deklaratën për Personat e Pagjetur, për çka u pajtuan?

- Advertisement -

Përveç paraqitjes së Draft-Statutit fillestar për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, më 2 maj në Bruksel, në takimin e Nivelit të Lartë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të miratojnë edhe formalisht Deklaratën mbi Personat e Pagjetur. Kjo është konfirmuar tashmë edhe nga Bashkimi Evropian. Megjithatë e tëra kjo marrëveshje vazhdon të jetë “konfuze”. Janë mbi 1 mijë e 600 persona fati i të cilit nuk është zbardhur që nga konflikti i fundit në Kosovë i viteve 1998-1999.

Kjo marrëveshja u arrit në nivel kryenegociatorësh nmë 6 prill ndërmjet Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit dhe u bë brum për debat të ashpër se çfarë në fakt ishte arritur. Kjo ngase kjo marrëveshje kaherë kishte qenë afër, por kishte ngecur vetëm në harmonizimin e dy fjalive në tekstin e përgjitshëm për të cilën kishte pasur pajtim edhe më herët. Serbia ka refuzuar kaherë kategorikisht që të ketë lidhje me personat e zhdukur me dhunë dhe ka refuzuar të bartë pasoja juridike për zhdukjen e tyre. Në anën tjetër, Kosova ka insistuar saktësisht në këtë.

U duk sikur një kompromis u gjet mes tyre. Serbia jo përgjegjëse për zhdukjet, Kosova jo indiferente ndaj natyrës së zhdukjeve. Aty nuk do të jetë termi “të zhdukur me dhunë” (ang: Enforced Disappearance) sipas Konventës ndërkombëtare për Mbrojtjen e Personave të Zhdukur me Dhunë, por do ta ketë termin “të zhdukur me forcë” (ang: forcibly dissappeared) që nuk është kategori juridike. Kjo ngase për termin e parë “Enforced Disappearance” vetëm shtetet janë përgjegjëse. Serbia këtë e paraqiti si fitore ndërsa Kosova atë të dytën.

Deklarimet rreth marrëveshjes për personat e pagjetur – Andin Hoti dhe Veljko Odalloviq:

“Prishtina nuk ka qenë shtet, as atëherë dhe nuk është as sot. [Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe është ndërkombëtarisht e njohur nga 117 shtete]. Ajo nuk ka kurrfarë përgjegjësie për zhdukjet që kanë ndodhur në vitet ‘90. I bie se vetëm Republika e Serbisë është përgjegjëse edhe për zhdukjet dhe vuajtjet e serbëve, por edhe për zhdukjet e të gjithë të tjerëve”, thoshte Odalloviq, derisa kundërshtone që assesi barra nuk duhet të bie mbi shtetin e Serbisë, e madje duke vlerësonte se Kosova po e “poliziton procesin”.

Por, Andin Hoti, që është Kryetar i Komisionit për Personat e Pagjetur i palës kosovare, megjithatë, thotë se, “për herë të parë pas 24 vitesh arritëm ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjesisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare”.

“Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb”, thotë ai i bindur.

Megjithatë se sa qëndron kjo, “nga shteti serb”, është tejet e paqartë, ngase termi “forcibly dissapeared” nuk gjenden në asnjë konventë ndërkombëtare si kategori juridike që do ta bënte Serbinë përgjegjëse. E madje saktësisht këtë, Serbia e paraqet si triumf.

Petkoviqi e shpall si triumf heqjen e termit “enforced dissapearances”

“Kjo është e rëndësishme për shkak të familjeve të të gjithë atyre që janë ende të zhdukur. Do të shtoja vetëm se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha kushtet, dhe se nuk e kemi pranuar termin ‘zhdukje me dhunë’, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e shtetit të Serbisë”, thotë Petkoviq.

“Termi ‘të zhdukurit me forcë’ është miratuar, term i cili nuk është kategori juridike dhe nuk gjenden në asnjë konventë ndërkombëtare, por vetëm përshkruan situatën/rrethanat se si ka ndodhur zhdukja dhe prandaj nuk mund të prodhojë ndonjë pasojë ligjore ndaj interesave të shtetit të Serbisë e as përgjegjësisë së saj”, tha ai.

Kurti tregon termin për të cilën është marrë vesh

Vetëm pasi që kjo çështje u bë brum debati erdhi reagimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e dha termin e saktë mbi të cilin është pajtuar në tekst. “Forcibly dissapeared”, tregoi ai.

“Formulimi i saktë në anglisht është ‘forcibly disappeared’ dhe kështu është termi që është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet personat të pagjetur, të zhdukur, që mungojnë, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukur me dhunë. ‘Forcibly disappeared’, kjo është shprehja në anglisht për të cilën tashmë është dakorduar në Bruksel”, ka thënë Kurti.

Në një bisedë me Nacionalen ish-Shefi i Misionit Verifikues në Kosovë të OSBE-së, William Wallker, thotë se është dashur të adoptohet termi që është në gjuhën zyrtare të OKB-së. “Qartazi unë e preferoj versionin që ka gjuhën zyrtare të Kombeve të Bashkuara dhe mua ma merr mendja se pse serbët do ta preferonin termin më pak të duhur (forcibly dissappeared). Sipas rolit tim të vogël tim në këto çështje termi më i mirë është ajo i Kombeve të Bashkuara”, tha Walker, ndërsa për termin që është adoptuar nuk e ka të qartë se çfarë shënjon.

“Do të doja që termi të ishte asisoji që qeveritë të jenë përgjegjëse për të zhdukurit në vend se të thuhet kështu thjesht ‘forcibly dissapeared’ sepse kjo mua po më tingëllon sikur mund të jenë çfarëdo lloj arsyesh për zhdukjet. Por, nëse Albin Kurti dhe qeveria kosovare e pranon këtë terminologji ashtu siç është prezantuar atëherë kjo është punë e kryer. Dhe, nëse qeveria serbe e paraqet këtë si fitore kjo po që të ngjan me qeverinë serbe”, tha ai për Nacionale.

Serbia këtë e paraqet si fitore ngase nuk ngarkohet me përgjegjësi për zhdukjen tyre. Kështu së paku u deklarua një numër herësh kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq. “Nëse kjo është komenti i tyre, që paskan ruajtur interesat shtetërore, është për keqardhje. Nëse ata thonë se qeveria serbe zyrtarisht nuk është përgjegjëse për disa nga këto zhdukje, kjo thjesht nuk është e vërtetë. Ata duhet të japin për llogari për zhdukje”, tha Walker.

Por jo vetëm kaq. Walker ka edhe një tregim për të shënuar një dallim të kohës sa ishte shef i Misionit Verifikues. “Në fakt, meqë ra fjala, unë jam duke shkruar një libër. Unë dhe një grua që po më ndihmon dhe miku im Hasani, po shihnim video të takimeve të mia si shef i Misionit të Verikimit me familjet shqiptare të të zhdukurve dhe më vonë po shihnim video ku ditë më vonë u takuam me familje serbe të zhdukurish; dhe ishin dy takime tejet tejet të ndryshme”, tha ai.

“Takimi me familjen shqiptare të të zhdukurve ishin, si ta them, shumë pozitive, më tregonin historinë e tyre dhe kërkonin nga KVM-ja që t’u ndihmojmë në gjetjen e familjarëve të tyre ose t’u tregonin çfarë u ka ndodhur të zhdukurve të tyre dhe kjo ishte në ditët e para. Përgjigja ime ishte që na jepni sa më shumë informacioni që keni: kur janë zhdukur, ku janë zhdukur, çfarëdo që të keni. Ndërsa takimi disa ditë më vonë me familjet serbe ishte krejtësisht tjetër; ishte tejet takim konfrontues, ku ata më thonin: Oh ju KVM-ja ikni që këtu, shkoni e na sillni familjarët, ju e dini ku janë ata, ju e dini se UÇK-ja po i mban ata. Dhe unë po ju thoja: më falni por ne nuk e dimë këtë. Ishte takim krejtësisht tjetër fare”, thotë William Walker.

  • “Kështu që, në kuptimin e temës të së pagjeturve kam qenë ca i frustruar nga qëndrimet e familjeve të të pagjeturve. Ja tash ku jemi, 23 vite më vonë, ashtu siç e përshkruat edhe ju, veç për të marrë një dokument që përshkruan çështjen dhe se si mund ta zgjidhim, tash ka argumente mes këtyre dy fjalëve”, thotë mes tjerash ai.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit