Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të vizitojë Kosovën në kuadër të turneut në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, para samitit të komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Tiranë, më 16 Maj. Sipas agjendës, në Prishtinë, Costa do të takohet vetëm me presidenten Vjosa Osmani
Para samitit gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet më 16 Maj në Tiranë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të zhvillojë një turne vizitash në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti i institucionit të Bashkimit Evropian, që e ka në dorë vendimin për heqjen ose jo të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, do të qëndrojë për vizitë të shkurtë në Prishtinë më 14 Maj.
Pasditen e së mërkurës, ai do diskutojë me presidenten Vjosa Osmani, në takimin e vetëm në agjendën e qëndrimit të tij në Kosovë.
Osmani dhe Costa, sipas njoftimit, do të mbajnë një konferencë të përbashkët në orën 16:45.
Nga Prishtina, presidenti i Këshillit Evropian do të vazhdojë drejt Maqedonisë së Veriut, e më pas drejt Shqipërisë – ku do të bashkë-udhëheqë samitin e Komunitetit Politik Evropian.
“Rritja e bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor është top prioritet politik për BE-në dhe për mua, personalisht. Do të vizitojë rajonin për të diskutuar me liderët lidhur me sfidat e vazhdueshme dhe për të dëshmuar që BE-ja është e gatshme të ndihmojë. Ka një momentum të qartë zgjerimi, por ky momentum ka nevojë për angazhim dhe vazhdim deri në fund”. -Antonio Costa, President i Këshillit Evropian
Para vizitës në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, më 12 Maj, Costa do të takohet me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos.
Ndërsa, para Kosovës, më 13 dhe 14 Maj, Costa do të vizitojë Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Ndërkohë, një ditë më parë në Ditën e Evropës, Presidentja Osmani ka kërkuar heqjen e masave nga BE-ja duke thënë se duhet “trajtim me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë