Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 5 mijë euro tjera për sulmin e Kryeministrit Albin Kurti ndaj Prokurorisë së Shtetit, gjatë tubimit zgjedhor në Gjilan, shkruan Reporteri.net.
Në ankesën e dorëzuar nga PDK citohet deklarata e Kurtit për prokurorët.
“E meqenëse partia me e re politike, Prokuroria e Shtetit nuk do të ketë deputetë në legjislaturën e nëntë, atëherë le të shkojë në shtëpi. Më 10 shkurt s’ka pse del në punë se s’janë tu ba punë. Le të rrinë në shpi. E ne do ta kemi gjyqësorin e ri,..e jo më kësi prokurorësh që Radoiçiqit ia heqin urdhërarrestin e e ndjekin Rozeta Hajdarin”, ka thënë Kurti”, kishte deklaruar Kurti në Gjilan.
Ai kishte thënë se edhe Prokuroria “ka me i humb zgjedhjet” më 9 shkurt.
“Ju po e shihni që fatkeqësisht Prokuroria e shtetit është shndërruar në një parti politike opozitare, por edhe ata kanë me i humb zgjedhjet më 9 shkurt, sikur partitë opozitare ashtu edhe prokuroria e shtetit që u bë si parti opozitare ka me i humb zgjedhjet me 9 shkurt. Por, a e dini çka, pas 9 shkurtit ata nuk do të kenë as deputet në kuvend qysh mundet me i pas naj parti opozitare, nëse kanë fat me kalu pragun partitë opozitare”, ka thënë Kurti.
Në përgjigje për këtë ankesë, VV ka thënë se deklarimet e Kurtit janë në përputhje të plotë me legjislacionin dhe rregullativën zgjedhore si dhe me frymën e një fushate elektorale.
PZAP e ka gjetur si të bazuar këtë ankesë, duke thënë se në këtë deklarim konsiderohet se është përdorë gjuhë nxitëse dhe urrejtëse.
Ndryshe, Reporteri.net raportoi më herët se ndaj VV’së janë shqiptuar gjoba tjera në vlerë mbi 25 mijë euro.