10.8 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

MD-ja ankohet për mosbashkëpunim me KGjK-në dhe KPK-në – IKD-ja i sheh të dëmshëm këto përplasje

- Advertisement -

Mungesa e një bashkëpunimi të mirëfilltë ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, ka bërë që të ngecë procesi i Reformës në Drejtësi. Nga MD-ja kanë thënë për Ekonomia Online se nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët me dy institucionet e drejtësisë, ndërsa nga IKD-ja theksojnë se bojkoti i tyre ndaj këtij dikasteri është i dukshëm.

Përplasja fillimisht kishte nisur me uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve, ndërsa më pas edhe tek Projektligji për Vettingun.

Genc Nimoni, këshilltari i ministres Albulena Haxhiu, ka thënë se ka një lloj rezistence në pamundësi për të bashkëpunuar Ministria e Drejtësisë me KGJK-në dhe KPK-në.

“Ministria e Drejtësisë, qysh se nga fillimi kur ka filluar reformën ka has në një lloj rezistence nga akterët e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial, përkundër kësaj Ministria e Drejtësisë ka vazhduar me i konsideru partnerë serioz në nismat në të cilat do duhej të ekzistonte bashkëpunimi institucional qysh nga fillimi ne kemi vazhduar me i konsideru dhe me i ftu me qenë pjesë qoftë e takimeve të veçanta por qoftë edhe takime punuese të përbashkëta që janë më të gjëra dhe ka disa nisma që janë finalizuar në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial”, ka thënë Nimoni.

Tutje, ai shton se ka raste kur ka mungesë të madhe të bashkëpunimit e që kjo ndodh më shumë me Këshillin Prokurorial së sa me Këshillin Gjyqësor.

“Nuk gjejmë realisht gjuhën e përbashkët apo më mirë më thënë kemi divergjencat tona dhe si Ministri e Drejtësisë ne vazhdojmë më i konsideru si partnerë në kuptimin e bashkëpunimit institucional dhe në këtë rast unë lirisht mundem me thënë se bashkëpunimi jonë është shumë konstruktiv, shumë profesional dhe gjithmonë e gjejmë këtë të Ministria e Drejtësisë, dhe në anën tjetër me iu thënë të drejtën edhe ka raste edhe kur mungon ky bashkëpunim apo kjo qasje konstruktive jo aq më Këshillin Gjyqësor sa me Këshillin Prokurorial dorën në zemër ne e kishim nënshkruar një deklaratë të përbashkët të zotimeve vitin që shkoj dhe tashmë jemi në këtë proces të përbashkët të deklaratës e përderisa me Këshillin Gjyqësor kemi një bashkëpunim shumë të mirë në këtë aspekt, ky bashkëpunim nuk është edhe me Këshillin Prokurorial”, u shpreh Nimoni për EO.

Nimoni ka numëruar edhe arsyet e këtij mosbashkëpunimi që ka dërguar në ngecjen e procesit sa i përket reformës në drejtësi.

“I kanë edhe disa si të themi ashtu mendime ndryshe, nuk i bashkohen deklaratës së zotimit, kanë dërguar edhe letra të tilla, sidoqoftë ne jemi duke shkuar sipas planit të punës që e kemi dakordu në fillim bashkë me Këshillin Gjyqësor Këshillin Prokurorial dhe në bazë të këtij plani të punës ne planifikojmë që tash në qershor korrik të finalizojmë nismat që rrjedhin nga kjo deklaratë e përbashkët e zotimeve edhe që janë diku 6 projekt akte normative dhe këtë jemi duke e bërë në bashkëpunim me gjithë akterët në bashkëpunim me shoqërinë civile në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar me ekspertë tjerë me Këshillin Gjyqësor ndonëse kemi disa divergjenca edhe me Këshillin Prokurorial por me ta kemi më shumë divergjenca, flas në atë kuptimin që të Ministria e Drejtësisë vazhdojnë më e pas edhe qasjen edhe bashkëpunimin profesional kur kanë synime për reformën që është në interes të sistemit, mirëpo kur kanë interesime tjera natyrisht që ne nuk jemi pjesë e saj dhe ne vazhdojmë ashtu siç kemi dakordu me planin tonë të punës”, ka thënë Nimoni për Ekonomia Online.

Megjithatë, pavarësisht këtyre mospajtimeve, Nimoni ka thënë se me votimin e raportit të Komisionit, në Komisionin për Legjislacion, është votuar raporti me versionin final të ndryshimeve, ndërsa me rekomandimet të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese një nga reformat është finalizuar dhe pritet të votohet në lexim të dytë, po ashtu edhe reforma sa i përket Gjykatës Administrative është në mes të dy nismave dhe pritet të dërgohet për lexim në Kuvend.

“Këto janë nismat që përmenda në Nismën e Këshillit Prokurorial kemi pas divergjencat tona të vazhdueshme tash e tre vjet mirëpo një lajm i mirë është se tashmë në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Legjislacion është votuar raporti i Komisionit me versionin final të ndryshimee apo amandamentet dhe të cilat janë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias dhe gjithashtu me rekomandime të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo është një ndër reformat që ne tashmë e konsiderojmë që është e finalizuar dhe në seancën e radhës të Kuvendit ne e konsiderojmë mendojmë që ajo vetëm se do të votohet në lexim të dytë dhe do të shkojmë tutje me këtë reformë të rëndësishme pastaj sa i përket Gjykatës Administrative kemi pas një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Këshillin Gjyqësor edhe ajo është tashmë në përfundim është në mes të dy nismave në mes të dy leximeve në Kuvend, dhe po besojmë që së shpejti do të jetë e finalizuar edhe për votim në leximin e dytë në Kuvend, sa i përket Vettingut ju e dini se qysh se nga fillimi edhe qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë ai.

Ndërsa, hulumtuesi i lartë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lavdim Makshana, ka thënë për Ekonomia Online, se Këshilli Prokurorial ka bojkotuar mbledhjet e grupeve punuese, kurse Këshilli Gjyqësor ka qenë më i gatshëm për bashkëpunim.

“Realisht gjatë tërë kohës, ka pas një bojkotim prej Këshillit Prokurorial të Kosovës por që kohëve të fundit edhe ata kanë marrë pjesë nëpër grupe punuese të cilat i ka zhvilluar Ministria e Drejtësisë ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka qenë tërë kohën pjesë e iniciativave të cilat i ka filluar Ministria e Drejtësisë mirëpo tash së fundi ka ndodh një bojkot të themi prej Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial”, ka thënë Makshana për EO.

Ai ka shtuar se gjatë procesit të punës lidhur me reformën në drejtësi, kanë ndodhur keqkuptime mes këshillave të MD-së duke mos gjetur një gjuhë të përbashkët.

“Më herët është nënshkruar një deklaratë e përbashkët e zotimit mes Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, për të filluar reformën në drejtësi ku ishte nisur iniciativa për plotësimin dhe ndryshimin e disa ligjeve në sistemin e drejtësisë, mirëpo gjatë rrugës ka pasur disa keqkuptime mes këshillave të ministrisë së drejtësisë pra nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për ta vazhduar d.m.th me iniciativën e reformës për drejtësi dhe tash e disa kohë edhe Këshilli Gjyqësor por edhe Këshilli Prokurorial nuk po marrin pjesë në grupet punuese të cilat i ka zhvilluar Ministria e Drejtësisë për reforma në sistemin e drejtësisë”, shtoi ai.

Një nga problemet kyçe të cilat po çojnë në raporte jo të mira mes këtyre institucioneve është edhe qasja e Ministrisë së Drejtësisë, siç e quan Makshana “krye në veti”, e që sipas tij kjo qasje mund të çojë edhe në pasoja të mëvonshme për sistemin e drejtësisë.

“Ministria e Drejtësisë nuk duhet të veprojë në krye në vete por duhet të konsultohet me të dy akterët në mënyrë që ligjet të cilat tashmë po hartohen apo po ndryshohen të mos kenë pasoja të mëvonshme për sistemin për shkak se janë vetë akterët të cilët përballen çdo ditë me këto ligje dhe të njëjtit do t’i zbatojnë këto ligje prandaj është e rëndësishme që të gjendet gjuha e përbashkët dhe të dyja institucionet Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial t’i kthehen tryezave të diskutimit në grupet punuese”, ka thënë Makshana për EO.

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit