![MD e bën “masakër” Udhëzimin Administrativ për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, kufizon edhe më tej mundësitë e financimit MD e bën “masakër” Udhëzimin Administrativ për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, kufizon edhe më tej mundësitë e financimit](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2024/01/Screenshot_20240130_233322_Chrome.jpg)
Ministria e Drejtësisë ka vendosur që përmes Udhëzimit Administrativ Nr. XX për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ – Nr. 08/2022, të lëshuar për shqyrtim publik më 12 janar 2024 dhe të përfunduar sot (30 janar 2024), të heqë dorë – neni 11, paragrafi 2 – nga mundësia e shqyrtimit të rasteve të veçanta ku “për shkaqe objektive, kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i angazhuar e tejkalon shumën e përcaktuar në marrëveshje, Njësia i propozon Komisionit, shqyrtimin e saj.”
Në rast të një situate të tillë, sipas nenit 2, paragrafi 11, “Komisioni shqyrton rrethanat që kanë çuar në tejkalim të tarifave të përcaktuara me këtë Udhëzim Administrativ dhe varësisht nga arsyetimi, e aprovon apo refuzon të njëjtën.”
Me plotësimin-ndryshimin e këtij Udhëzimi Administrativ, Ministria synon që të heqë plotësisht këto dy paragrafe të nenit 11.
Më shumë kontekst: Në vitin 2022, Ministria e Drejtësisë kishte nxjerrë një Udhëzim Administrativ i cili përcakton procedurën e mbulimit të shpenzimeve të mbrojtjes juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Nëpërmjet këtij Udhëzimi u përcaktua masa maksimale e mbulimit financiar sipas 4 kompleksiteteve. Në rastin e kompleksitetit të katërt (më i larti), përmes këtij Udhëzimi Administrativ është përcaktuar mbulimi financiar deri në 365 mijë euro në total, duke filluar nga faza e procedurës paraprake deri në shkallën e tretë.
S’ka mjete për pagesën e avokatëve?
Ish-Presidenti Hashim Thaçi do të mbetet pa avokatin e tij kryesor Gregory Kehoe. Avokatët e ish-presidentit Hashim Thaçi që janë pjesë e ekipit të Kehoe, të cilët po e mbrojnë në rastin e tij në Hagë, përmes një mocioni kanë paralajmëruar tërheqjen nga kjo detyrë.
Si shkak në kërkesë është përmendur moskryerja e obligimeve ndaj tyre. Në një prononcim për media, vëllai i ish-presidentit Thaçi, Idriz Thaçi, duke e falënderuar avokatin Kehoe dhe ekipin e tij për angazhimin e deritashëm, ka sqaruar se kontrata me kompaninë ligjore “Greenberg Legal Associates”, nuk është vazhduar në vitin 2024 për shkak të vështirësive financiare në mbulimin e kostos së të gjithë avokatëve të angazhuar si pjesë e mbrojtjes së z. Thaçi.
“Në pamundësi për ta mbuluar koston për të gjithë avokatët e angazhuar deri në fund të vitit të kaluar, për shkak të vështirësive financiare jemi detyruar ta reduktojmë ekipin dhe tani avokat kryesor i z. Thaçi është z. Luka Misetic, i cili do të jetë në koordinim të plotë edhe me avokatët e tjerë ndihmës. Z. Kehoe ka qenë i informuar lidhur me vështirësitë në mbulimin e kostos së shërbimeve të ekipit të tij dhe për mosvazhdimin e kontratës në vitin 2024.” – ka thënë ai. /Nacionale/