Përpjekjet për mbylljen e strukturave paralele në veri po vazhdojnë, me synimin për të rivendosur rendin dhe për të penguar ndikimin e grupeve të paligjshme në Kosovë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të jenë të vetmet që do të shërbejnë në Kosovë.
Të gjitha aksionet e policisë në mbylljen e institucioneve paralele po përcjellën me vëmendje edhe nga Ambasada Gjermane në Kosovë.
Në një përgjigje për Telegrafin, nga kjo ambasadë theksojnë se mbyllja e menjëhershme e këtyre institucioneve ndikon negativisht në jetën e përditshme të serbëve.
“Ne po i monitorojmë nga afër këto zhvillime dhe po mbledhim detaje të mëtejshme për natyrën dhe rrethanat e këtyre veprimeve. Ndërsa raportet zyrtare pretendojnë se operacionet vazhduan pa incidente, raporte të tjera paraqesin një pamje të një situate të tensionuar në terren. Në koordinim me partnerët tanë, ne kemi theksuar vazhdimisht se mbyllja e menjëhershme e këtyre institucioneve ndikon negativisht në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera joshumicë”, theksohet në përgjigjen e tyre.
Po ashtu, ambasada gjermane thekson se “Është thelbësore të adoptohet një qasje gjithëpërfshirëse që jo vetëm që përfshin të gjitha komunitetet e prekura, por gjithashtu siguron krijimin e strukturave alternative të qëndrueshme që u shërbejnë interesave të të gjithëve”.
Ambasada gjermane po ashtu shpreh shqetësimin e tyre se operacionet e tilla policore mund të thellojnë tensionet.
Ata po ashtu, kanë përmendur edhe presidentin e Këshillit Evropian, i cili ka pohuar se heqja e masave është e lidhur me de-përshkallëzimin në veri.
“Ne jemi të shqetësuar se operacione të tilla policore rrezikojnë të thellojnë tensionet lokale dhe të minojnë përpjekjet për të fituar zemrat dhe mendjet e të prekurve. Siç theksoi dje presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, heqja e masave është e lidhur me de-përshkallëzimin në veri. Në këtë moment kritik, veprimet që rrisin më tej tensionet janë kundërproduktive dhe nuk kontribuojnë në heqjen e masave”, kanë deklaruar nga ambasada gjermane.
Së fundi në veri është ndërprerë veprimtaria ilegale e strukturave paralele në Fabrikën e ujit në Zubin Potok, me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë.
Po ashtu është kthyer në pronësi të komunës së Mitrovicës së Veriut objekti i cili deri tash ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele, përkatësisht nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara. Po ashtu, në një aksion ngjashëm është zhvilluar te stacioni i pompave të ujit në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut.
Ndryshe, ditën e mërkurë në Kosovë ka qëndruar presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Ai ka folur edhe për masat sanksionuese të vendosura ndaj Kosovës.
Costa tha se masat janë të lidhura me nevojën për de-përshkallëzim të tensioneve në rajon, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe se shpreson që situata të stabilizohet për të mundësuar heqjen e tyre.
“Këto masa janë të lidhura me nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Dhe ajo që dëshiroj është që sa më shpejt të kemi këtë de-përshkallëzim, e më pas të mund të ecim përpara dhe t’i heqim këto masa. Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë një prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon rregullin se ju jeni plotësisht të angazhuar në këtë rrugë evropiane për të de-përshkallëzuar dhe, siç tha Zonja Presidente dje, për t’u angazhuar në këtë dialog mes Beogradit dhe Prishtinës”, deklaroi Costa.
Largimin e masave sanksionuese ndaj Kosovës e kanë kërkuar udhëheqësit e shtetit