Në kulmin e sezonit veror, Ndërmarrja Publike Lokale Sportmarketing ka marrë vendim që ta mbyllë përkohësisht Pishinën e Gërmisë, për shkak të analizave shtesë të ujit dhe testimit të sistemeve të filtrimit.
Sipas njoftimit zyrtar, pishina do të qëndrojë e mbyllur deri të shtunën, për të kryer kontrolle të avancuara në përputhje me udhëzimet teknike. NPL Sportmarketing thekson se kjo masë merret për të garantuar standardet më të larta higjienike dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
“Ky veprim bëhet për të siguruar standarde të larta higjienike dhe mbrojtjen e shëndetit të vizitorëve”, thuhet në njoftim.
Ndërmarrja po ashtu ka shprehur shqetësimin e saj për presionin publik dhe dezinformatat, që sipas saj, po shpërndahen me qëllim dëmtimin e imazhit të saj në opinion.
“Jemi të hapur ndaj kritikave dhe sugjerimeve tuaja, gjithmonë për të përmirësuar kushtet dhe shërbimin në të mirë të qytetarëve tanë. Është për keqardhje presioni publik nga persona të caktuar dhe me agjendë, duke përdorur edhe media të caktuara për të dëmtuar imazhin e ndërmarrjes,” thuhet më tej në reagimin e ndërmarrjes.
Sportmarketing ka bërë thirrje për mirëkuptim nga qytetarët, duke theksuar se veprimi i ndërmarrë është në funksion të sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve që ofrohen në këtë hapësirë publike rekreative.