Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka për interes të mos e zbardhë rastin e aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari, që më 2016 u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit.
Në Kuvend, Berisha ka thënë se Vetëvendosje e ka përdorur rastin e Deharit për përfitime politike.
Ai ka thënë se janë dy “parakushte” për ta zbardhur rastin. Ka ndërlidhur këtu edhe rastin e vetëvrasjes e vëllait të Astrit Deharit, Arbënorit. Ka aluduar se “nëse zbardhet rasti i sulmit në objektet e institucioneve do të ishte tërmet për VV-në”.
Ndaj fjalimit të Berishës kanë reaguar ashpër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.