Eugen Cakolli nga KDI e ka kritikuar vendimin e Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, për emërimin e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Pas raportimit të gazetës Nacionale për këtë çështje, ai ka thënë se një vendim i tillë është i paligjshëm.
Në profilin e tij në “Facebook”, Cakolli ka shkruar se ky vendim nuk është vendim teknik dhe as urgjent.
“Ish-ministrat që janë betuar si deputetë, jo vetëm që s’janë larguar fizikisht nga objektet qeveritare, por as nga vendimmarrja ekzekutive. Ndërkohë që Kuvendi nuk po konstituohet, bordet po mbushen – kundërligjshëm dhe “normalisht” – nga anëtarë të përzgjedhur nga radhët e afërta të Vetëvendosjes. Rasti i fundit qenka ai i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar. Por ky s’është vendim teknik, as urgjent, e as rutinë e një (ish)ministri. Është vazhdim i planifikuar i kontrollit politik mbi institucionet, përmes nënshkrimeve të momentit të fundit. Pikërisht ajo për të cilën janë kritikuar të gjitha qeveritë e mëparshme. Pushteti nuk po qeveris më, por po siguron terren për pas-qeverisjen. Dhe gjithçka bëhet mbi një logjikë të qartë, por të mbrapshtë: “Për sa kohë nuk të ndalon dikush, s’ka pse ndalesh vetë.””, ka shkruar ai.