8.8 C
New York
Friday, November 15, 2024

Buy now

Mburrja e Kurtit me investimet e huaja direkte, gati 70% e tyre dominohet nga sektori i patundshmërive

- Advertisement -

Përmes një postimi në X, Kurti është mburrur me një raport të FDI Intelligence, i cili e rendit Kosovën të dytën në ekonomitë në zhvillim të Evropës dhe të pestën në botë për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja direkte në raport me Bruto Produktin Vendor.

“Një raport i ri i FDI Intelligence, i mundësuar nga Financial Times, tregon se Kosova renditet e dyta në Evropën në zhvillim — dhe e pesta në të gjithë botën — për tërheqjen e nivelit më të lartë të IHD-ve në raport me PBB-në. Për më tepër, ajo renditet e 4-ta në botë për përmirësim nga viti në vit nga viti 2022 në 2023. Një dëshmi më shumë se progresi demokratik dhe ekonomik në Kosovë ecin paralelisht, duke e bërë vendin tonë një destinacion lider për investitorët e huaj”, shkroi Kurti në “X”.

Investimet e Huaja Direkte gjatë 2024-ës

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, nga janari deri në maj 2024, vlera totale e investimeve të huaja direkte ishte rreth 341 milionë euro.

Përfituesi kryesor i investimeve të huaja mbeti sektori i patundshmërive, me vlerë rreth 230 milionë.

Rritje të investimeve të huaja direkte është shënuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë; riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave, ku vetëm gjatë muajit mars arritën vlerën e 13.6 milionë euro.

Gjermania, Zvicra, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia vazhdojnë të prijnë sa i përket vlerës së investimeve.

Megjithatë, IHD-të e Gjermanisë në Kosovë panë një rënie prej 11.1 milionë euro në tre muajt e parë të vitit 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Si qëndron Kosova me IHD-të, sipas ekonomistëve?

Në një reagim që ekspozon realitetin e trishtë të vendit në kontest të tërheqjes se investimeve të huaja, Berat Rukiqi, anëtar i Lidhjes Demokratike, i ka kujtuar kreut të Qeverisë se pothuajse e gjithë vlera e IHD-ve ndërlidhet me Patundshmërinë dhe Riiinvestimet e fitimeve nga bankat.

Si rezultat, sipas ekonomistit të LDK-së, “nuk ka asnjë projekt investiv qe ka ndikuar ne zhvillim ekonomik e as ne krijim te vendeve te punës.”

“Investime te Huaja ne Kosove janë: 1. Patundshmëritë; 2. Riiinvestimi i fitimeve të bankave Rrjedhimisht, nuk ka asnjë projekt investiv që ka ndikuar ne zhvillim ekonomik e as në krijim të vendeve të punës. Gjuha për luftën dhe rreth luftës e Kryeministrit, ne çdo medium global, ka nxitur dekurajim dhe frenim te investimeve te jashtme dhe te brendshme”, shkroi ai në Facebook.

Se IHD-të e Kosovës janë vetëm investime në patundshmëri, e ka konfirmuar edhe koordinatori i Departamentit të Financave në Partinë Demokratike, Arben Mustafa.

Ai shtoi se “nuk mbahet mend ardhja e ndonjë kompanie të huaj që ka sjellë kapital e që ka hapur numër të madh të vendeve të reja të punës.” Ai e përshkroi mjedisin e investimeve të huaja të Kosovës si të dëmtuar nga një qeveri “me tendenca autokratike.”

“Kryeministri paska folur për investime të huaja e për zhvillim ekonomik sikur mos të ishte duke jetuar në Kosovë. Në Kosovën e sanksionuar nga BE-ja, ato pak investime të huaja që i kemi janë kryesisht blerje të banesave nga diaspora, ndërsa nuk mbahet mend ardhja e ndonjë kompanie të huaj që ka sjellë kapital e që ka hapur numër të madh të vendeve të reja të punës. Investimet e huaja nuk vijnë në një vend me një qeveri që ka tendenca autokratike, që e izolon vendin dhe që e pasqyron Kosovën si një vatër krize!”, tha ai ndër të tjera.

Çka thotë raporti i DASh-it për IHD-të?

Vetë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit kishte konstatuar se investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë mbeten të kufizuara.

Integrimi i kufizuar rajonal, tensionet e vazhdueshme me Serbinë dhe politikat kapriçioze (impulsive, të paparashikueshme) të Qeverisë, ndërhyrja politike në ekonomi dhe dialogu i kufizuar publiko-privat mbeten sfidat më të mëdha për tërheqjen e investimeve në Kosovë, sipas raportit të përvitshëm të Departamentit Amerikan mbi Klimën e Investimeve në Kosovë.

Madje, raporti ka kriktuar ashpër vendimin e qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të produkteve të gatshme nga Serbia, vendim i cili vlerësohet se “ndikoi negativisht në kompanitë në pronësi të subjekteve të huaja në Kosovë”.

Raporti nënvizon disa nga barrierat kryesore të cilat stangojnë tërheqjen e IHD-ve. Mes tyre përmenden edhe ‘ndërhyrjet e pamatura të ekzekutivit në ekonomi’.

“Një treg i brendshëm i vogël por në rritje, integrimi i kufizuar rajonal dhe tensionet e vazhdueshme me Serbinë vazhdojnë të jenë barrierat kryesore për tërheqjen e IHD-ve. Politikat ekonomike ndonjëherë kapriçioze të Qeverisë së Kosovës, ndërhyrja politike në ekonomi dhe dialogu i kufizuar publiko-privat paraqesin gjithashtu sfida për investitorët”, thuhet ndër të tjera në raportin e DASh-it. /Nacionale/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit