Shkruan: Prof.Ass.Dr. Ferat Sallahu
Në një kohë kur sistemi shëndetësor i Kosovës përballet me sfida reale – mungesë të stafit, ikje të kuadrove profesionale, kushte të vështira pune dhe mbështetje të pamjaftueshme institucionale – mjekët, në vend që të jenë të mbështetur dhe të vlerësuar, gjithnjë e më shpesh po bëhen objekt i sulmeve publike, shpifjeve dhe linçimeve mediatike.
Kjo situatë ka marrë përmasa shqetësuese.
Mjekët po përballen me:
• Paditë të motivuara nga keqkuptimi ose përfitimi, shpesh të ngritura pa ekspertizë mjeko-ligjore dhe pa kuptim të realitetit klinik;
• Shpifje dhe denigrim në rrjete sociale, që nxisin urrejtje dhe dyshim të padrejtë ndaj të gjithë profesionistëve;
• Artikuj tendenciozë në portale, që shpesh publikojnë emra të mjekëve para çdo verifikimi ligjor – duke i ekspozuar ata dhe familjet e tyre ndaj presionit dhe stigmës së padrejtë publike.
Kjo sjellje është e rrezikshme, e padrejtë dhe joproduktive.
Në vend të ndihmës dhe mbështetjes që mjekët meritojnë, shpesh përballen me pasiguri, frikë dhe mungesë të besimit. Si pasojë, shumë profesionistë po mendojnë largimin nga vendi ose hezitimin për të marrë përsipër rastet më të vështira klinike – jo për mungesë kompetence, por për frikë nga ndëshkimi pa faj.
Mjekësia nuk është shkencë e saktë. Nuk ka garanci absolute për çdo trajtim, dhe ndërlikimet janë pjesë e pashmangshme e praktikës mjekësore në të gjithë botën. Vetëm ekspertiza mjeko-ligjore e pavarur mund të vlerësojë nëse ka pasur neglizhencë apo jo. As rrjetet sociale, as portale të paautorizuara nuk janë gjykatë.
Është hipokrizi që një shoqëri që kërkon kujdes shëndetësor cilësor, të lejojë një klimë ku mjeku paragjykohet, turpërohet dhe frikësohet para se të dëgjohet.
Prandaj:
• U bëjmë thirrje mediave të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe profesionalizëm në raportim;
• Kërkojmë nga institucionet e drejtësisë që të trajtojnë çdo ankesë me objektivitet, pa presione politike apo emocionale, dhe të dallojnë qartë midis gabimit profesional dhe komplikimeve të pashmangshme mjekësore;
• Ftojmë opinionin publik të mos bëhet pjesë e gjyqit publik dhe të mos përkrahin linçimin kolektiv të profesionistëve të ndershëm.
Ne nuk e mbrojmë askënd që ka vepruar në kundërshtim me etikën dhe ligjin – por mbrojmë çdo profesionist që në mënyrë të ndershme, me mund dhe sakrificë, i shërben qytetarit.
Të vërtetat mjekësore janë të ndërlikuara dhe nuk mund të shpjegohen me tituj bombastikë, opinione të pavërtetuara apo narrativa emocionale.
Pa dinjitetin e mjekut, nuk ka shërbim të sigurt për askënd. Pa besim të ndërsjellë, nuk ka sistem shëndetësor funksional.
Jepni respekt për ata që çdo ditë rrinë pranë pacientëve në momente të dhimbjes, ankthit dhe shpesh të humbjes.
Jepni drejtësi për ata që nuk e kanë braktisur vendin.
Jepni siguri për ata që e mbrojnë jetën tuaj.
Jepni respekt, drejtësi dhe mbështetje për secilin mjek që çdo ditë mbron dhe shpëton jetë.
Një shoqëri që sulmon mjekët pa arsye, në fund dëmton veten.